Partia Social-Demokrate (SPD) e qendrës së majtë, ka fituar zgjedhjet federale në Gjermani, duke mposhtur partinë e kancelares në shkuarje, Angela Merkel, sipas rezultateve preliminare. SPD ka siguruar 25.7 për qind të votave, derisa blloku konservator i Merkelit, Demokrisian/Kristian-Social (CDU/CSU), ka siguruar 24.1 për qind.

Partia e Gjelbër ka shënuar rezultatin më të mirë në historinë e partisë, duke u renditur e treta me 14.8 për qind të votave.

Një koalicion është i domosdoshëm për të krijuar qeverinë.

Lideri i SPD-së, Olaf Scholz, ka thënë më herët se partia e tij ka mandat të pastër për të udhëhequr, ndërkohë që partia e tij është nisur drejt numrave të parë në listë.

Sondazhet kanë parashikuar një garë të nxehtë, mirëpo këto zgjedhje kanë qenë të paparashikueshme.

Një gjë është e qartë se, kancelarja në shkuarje nuk do të shkojë askund derisa të formohet qeveria – dhe kjo gjë mund të vonohet deri në kohën e Krishtlindjes.

Detyra e pasardhësit të Merkelit është që të udhëheqë ekonominë më të madhe në Evropë në katër vitet e ardhshme, derisa edhe ndryshimet klimatike janë në krye të agjendës.

Scholz i ka thënë një audience televizive se votuesit i kanë dhënë atij detyrën e “formimit të një qeverie të mirë dhe pragmatike për Gjermaninë”.

Rivali i tij konservator, Armin Laschet, ka reaguar, po ashtu, duke thënë se ky proces është për formim të koalicionit dhe jo për “shumicë aritmetike”.

Përtej partive të mëdha, dita e zgjedhjeve nuk ka qenë me sukses të konsiderueshëm për të majtën radikale dhe atë të së djathtës ekstreme.

Partia e krahut të majtë, Die Linke, mund edhe të mos jetë më në parlament, nëse rezultati i saj zgjedhor bie nën 5 për qind.

Ndonëse partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, duket se ka shënuar ulje në nivel kombëtar, ajo ka dalë partia më e madhe në landet gjermane, Saksoni dhe Turingia.

Merkel, e cila ka qenë në pushtet nga viti 2005, nuk do të jetë më pjesë e udhëheqësisë gjermane./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA