Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të përgjithshme në Gjermani përmbysin bllokun CDU/CSU të kancelares Angela Merkel, për t’i dhënë një fitore të ngushtë socialdemokratëve dhe kandidatit të tyre, Olaf Scholz. SPD-ja ka siguruar 25.7% të votave, duke shtyrë në vend të dytë konservatorët e Merkelit me 24.1%.
Të gjelbrit arritën rezultatin më të mirë në historinë e partisë së tyre, dhe u rreshtuan të tretët me 14.8%. Këto shifra megjithatë tregojnë se për krijimin e ekzekutivit do të nevojitet një koalicion, edhe pse më herët Scholz qe shprehur se partia e tij kishte mandat të qartë për të qeverisur. Exit poll-et e kishin paralajmëruar diçka të tillë, por këto zgjedhje u konsideruan kaq të paparashikueshme, dhe rezultati i tyre nuk do të ishte fundi i historisë.
“Nuk është mazhorancë matematikore, është farkëtim koalicioni” i thanë rivalët kreut të SPD-së dhe mbështetësve të tij që kremtonin me ovacione, duke i kujtuar se në këtë rast “Fituesi, nuk i merr të gjitha”. Vetë Merkel do të qëndrojë në postin deri në formimin e koalicionit, e kjo mund të zgjasë deri për Krishtlindje. “Dy kancelarë të mundshëm, dy kingmaker të mundshëm” ishte njëri prej titujve të gazetave që shkaktoi më shumë bujë, pasi tregoi se në luftën për pushtet, konservatorët dhe social-demokratët nuk janë të vetëm.
Dy kingmaker-at janë Të Gjelbrit, dhe liberalët e FDP-së pro biznesit, të cilët janë shprehur të hapur për oferta. Njeriut që do të marrë frerët e qeverisjes do t’i duhet ta drejtojë ekonominë më të madhe të Europës përgjatë sfidash jot ë vogla në 4 vitet e ardhshme, teksa ndryshimet e klimës u spostuan në këto zgjedhje në krye të agjendës së votuesve.
Top Channel