Nga Anila Hoxha
Deri tani, jeta e Leonard Rrasës, 21 vjeç nuk ka asgjë të ngjashme me magjinë e perëndimit të diellit në Divjakë. Ai është fëmijë i viteve 2000, mban në nyje të dorës një ore false Adidas, të dhuruar nga i ati në 23 gusht për ditëlindje. Ai është portreti i varfërisë që asnjëherë nuk vesh një palë këpuce të reja, por ngahera të vjetra që tërhiqen zvarrë ashtu si jeta.
Ai është fytyra e të mjerëve dhe të pafateve e të braktisurve po ashtu, që jetojnë e kacafyten brenda muresh që s’kanë fjalë, për kaq e kaq pamundësira si energjinë që nuk i paguajnë dot, për miellin që nuk e blejnë dot, për tokën që duhet punuar por s’kanë para ta punojnë, s’kanë mjete, s’kanë asgjë veç të mbjellave që me kursim stina u zë stinën.
Punojnë me meditje ashtu si Leonardi për 10 mijë ose 15 mijë lekë të vjetra vetëm nëse rasti i mirë ju troket në derë. Por më së shumti paratë e pakta që nuk dalin për shpenzime dhe varfëria që të hipën në qafë kthehet një muzikë funebre që i shoqëron përditë. Edhe Leonardin që nuk hyn më dot në atë shtëpi ku për të mos humbur ndjenjat, xhaxhai ja ka mbyllur derën ku ai gjeti të gjakosur nënë e babë.
Nëna kishte ndezur zjarrin jashtë, kishte vendosur ujin të ziente që të kapte një pulë në oborr e ta gatuante. Baba u kthye dhe dukej i qetë. Fëmija e tyre nuk e vërejti hijen e zezë të vdekjes që qëndronte mbi çatinë e vjetëruar e më së shumti të mbuluar me plastmas.
Ziheshin nga varfëria, thotë Leonardi.
Tani që kanë kaluar ditë nga krimi i dyfishtë, Leonardi kthehet e rikthehet në ditën e fundit të fatkeqësisë, kur baba i kthyer në një vrasës qëlloi pa mëshirë mbi nënën e tij.
Per 21 vite Leonardi ka ndjekur çfarë ndodhte. Fryme që rëndohen nga mospasja dhe hakërrehen kundra njëra -tjetrës. Mes prindërish të dorëzuar, fëmijë mes tyre që i deshën të dy mamin dhe babin që veç grindet e në fund vret !
Leonardi është fryt i një martese nga ato që djali duhet martuar që të sjellë grua në shtëpi e të bëjë fëmijë. Leonardi qe ka marre prej të dyve në tipare është fëmija që hidhte shtat dhe si ai shtat hidhte edhe mjerimi . Prindërit e hoqën nga shkolla në klasën e nëntë, mbase për shkak të notave te këqija.
Por Leonardi për paradoks çdo natë luante shah me babën. Teksa muret e shtepisë së ndërtuar me baltë e tulla po bjerreshin, e teksa as baba spo gjente dot punë deri ditën kur me në fund ai siguroi një punë në Bashkinë e Divjakës. Por babai fitonte 27 mijë lekë në muaj, me to duhet te ushqeheshin tre vetë.
Çdo gjë në atë shtëpi krejtësisht të rrenuar, çdo gjë është e falur. Divanet ja dhuroi gjyshi nga mami. Frigoriferin e pati sjelle baba që në 1993 kur u kthye nga Greqia. Bufeja e falur, televizorin e solli një kusheri. Por dritaret i ka bluar mola, kur e hap deren e shkaterruar ajo ben zhurme sikur po vajton. Ja kështu Leonard Rrasa, djali i Thellënzes dhe i Hekuranit , u rrit nga dy prindër që teksa ai nxitonte për tu rritur, ata te dy nuk munden dot ta shkëpusnin nga mjerimi i tyre. As atë dhe as njeri tjetrin. Mbollën ullinj, por ullinjtë s’kanë prodhuar ende. Mbollën jonxhë mbasi paguan për plugim zetoristin që të ushqenin lopën dhe ajo të ushqente ata.
Por pavarësisht perpjekjeve në Babunjen me tokat pjellore, asgjë nuk ecte perpara , përkundrazi familja zhytej me thelle. Leonardi kreu klasen e nëntë dhe mandej e la shkollen. Bashkemoshatarët e tij ose emigruan, ose u larguan, ose vazhduan shkollën. Ai jo. Femije i vetem i Hekuran dhe Thellenxa Rrases, megjithse nga martesa e parë e të atit ai kishte dhe dy femijë të tjerë që Leonardi as i njeh dhe as që e di çfarë bëjnë e si ju ka vajtur jeta. Babai ishte nevrik, nëna mundohej të duronte, por ata ziheshin përherë për ekonomi- qan Leonardi.
Sherret nisnin vetem nga varferia përshperit teksa rreshket sytë e përlotur mureve të krisur dhe që së shpejti do rrezohen. Mbase atë do ta zënë brenda, pasi të kthehet nga xhaxhai i tij që e ka strehuar derisa të kapërcejë dhimbjen nga tragjedia qe i ka rënë.
Edhe në jetën virtuale në llogarinë e facebook dhe në jetën reale, syte e Leonardit që ja vunë emrin rastesisht nga një film janë të mbytur nga trishtimi. Ka parë një dramë që duhet të ketë nisur përpara se ai te lindte, atëherë kur prindërit e tij u martuan përmes mblesërisë. Të dy vinin nga dy martesa të mëparshme, dhe vazhdimisht grindeshin.
Në xhep ka palosur bashkë me fotografitë e prindërve 500 lekeshen e fundit që ja dha e ema duke dalë, me të cilat do blinte një paketë dhe do pinte kafen në fshatin e tij të lindjes në Babunjë. I pa në oborrin e shtëpisë duke folur, pranë fuçisë të mbushur me grurë dhe që do bluhej për tu bërë miell buke. Për herë të fundit të gjallë, pak orë mbasi i ati Hekurani i ishte betuar se nuk do ngrinte më zë e as dorë ndaj Thellënzës. Por arma e gjahut që i ati e përdorte për të trembur dhelprat dhe nuselalat, u shkrep prej tij për ti qëlluar për vdekje të emën dhe mandej për ti dhënë fund jetës. Bash aty, në një shtëpi prej qerpici të ndertuar nga gjyshi prej 1957 , dhe ku vellai i fundit që jetoi me prinderit nuk pati asnjë mundësi të fitonte mbi mjerimin. Mbasi i vrau të ëmën dhe shtiu mbi veten, ai e la pas të birin, krej fillikat, në një fushë të egër shahu ku ai do luajë vazhdimisht i bindur se ndaj jetës në fshatin ku ai lindi dhe percolli në dy varrime të ndara prindërit, nuk do fitojë asnjëherë.
Top Channel