Vjeshta është koha ideale për ata që duan të pushojnë në qetësi. Shumë i janë kthyer punës dhe fëmijët shkollës, ndaj plazhet e Durrësit janë më të qeta.
Disa vazhdojnë të shfrytëzojnë motin e ngrohtë vetëm në fundjavë, por të tjerë kanë zgjedhur të bëjnë pushimet vjetore, si këta turistë çekë.
”Jam nga Republika e Çekisë. Kemi 7 ditë këtu. Është hera e parë dhe është një vend i lirë për ne. Njerëzit janë të këndshëm dhe akomodimi i mirë. Pamja nga deti, shumë e këndshme, e pastër dhe e bukur. Gjithçka perfekte dhe veçanërisht për fëmijët. Mund të bëjnë kështjella rëre dhe të jenë të sigurtë në det. Do të rrimë edhe një javë e do vijmë sërish vitin tjetër.”
”Ne jemi një familje e madhe dhe vijmë për herë të parë. Do t’u themi dhe të tjerëve sa bukur është këtu buzë detit. Sa njerëz mikpritës. Jemi vërtet të kënaqur dhe befasuar që ky vend është kaq i bukur dhe kaq i lirë.”
Turistë të shumtë të huaj, vendas dhe nga Kosova e Maqedonia e Veriut po shijojnë gjithashtu plazhin e madh të Durrësit.
”Plazhi dhe deti janë më të pastër. Nuk ka shumë tollovi. Krejt në rregull. Unë jam nga Gjilani.”
”Shumë të kënaqur. Gjithçka është në nivel. Ne jemi nga Prishtina dhe vijmë nga Suedia.”
”Atmosfera është e mirë. Është bregdeti shqiptar. Ne prej vitesh kemi vuajtur e ëndërruar për këtë vend. Erdhi momenti që të frymëzohena dhe rehatohena këtu.”
Pushues të huaj e vendas i gëzohen mikpritjes dhe motit të ngrohtë, por edhe ushqimit të bollshëm e të shijshëm, ndërsa janë tepër të interesuar të vizitojnë dhe qendrat e njohura të trashëgimisë sonë kulturore.
Top Channel