Kreu i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ofroi të gjithë mbështetjen e tij qeverisë dhe Policisë së Kosovës për situatën në veri, duke thënë se ajo që po ndodh në këtë pjesë të vendit është “e papranueshme”. 

“Provokimet e serbëve në veri janë të projektuara në Beograd dhe në Moskë, e Prishtina, duke mos rënë pre e këtyre provokimeve, duhet të jetë e vendosur në mbrojtje të qenësisë së saj”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se Brukseli duhet të ndërhyjë dhe të kërkojë nga Serbia që të mos e provokojë edhe më tej situatën në veri të Kosovës. Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok u dogj një ditë më parë ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.

Sipas hetimeve paraprake, tek kjo e fundit janë hedhur dy bomba dore, por që nuk kanë shpërthyer. Për shkak të situatës në veri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkoi dhe mbledhjen e Këshillit të Sigurisë.

Që prej 20 shtatorit, ku u vendos masa e reciprocitetit, banorët serbë në veri të Kosovës nuk i kanë reshtur protestat e tyre. Ata kanë bllokuar dy rrugë që lidhin Kosovën dhe Serbinë në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Top Channel