Shndërrimi i piramidës në një qendër multifunksionale për qytetarët e Tiranës po konkretizohet dita ditës.
Kantierin e ndërtimit e vizitoi këtë të shtunë arkitekti me famë botërore, që realizoi projektin, Winy Mass, i cili tha se punimet janë drejt fundit.
‘Është emocionuese, jemi afër përfundimit. E kemi hapur ndërtesën dhe e kemi përshtatur në një mënyrë që të krijojë më shumë hapësirë dhe akses për publikun. Jemi duke punuar me fasadën për ta mbajtur sa më të hapur të jetë e mundur. Bëhet më e fortë dhe më pëlqen sepse bëhet më racionale dhe më historike gjë që iu jep përgjigje shumë njerëzve që diskutojnë pse jemi duke e bërë këtë, pse po e mbajmë kështu strukturën dhe ky është mesazhi’.
Kryebashkiaku Veliaj shpjegoi se nga 5 katet e Piramidës, vetëm dy kate do të përdoren për shkollën e teknologjisë Tumo ndërsa tre të tjerat do të jenë të hapura për publikun.
Projekti i rivitalizimit të Piramidës së Tiranës synon transformimin e saj në një qendër multifunksionale në qytet, duke siguruar hapësirë për të rinjtë dhe qytetarët që të angazhohen në art, kulturë dhe teknologji krijuese. Plani synon të krijojë simbolin e ri për Tiranën, ku ndërtesa është e arritshme nga të gjitha anët.
Top Channel