Dy kanadezë, që po mbaheshin në Kinë nën akuza të spiunazhit, janë liruar dhe janë nisur drejt Kanadasë, njoftoi kryeministri Justin Trudeau.
Ish-diplomati Michael Kovrig dhe biznesmeni Michael Spavor “janë larguar nga hapësira ajrore kineze dhe janë nisur drejt shtëpisë”, tha kryeministri kanadez, Trudeau.
Njoftimi për lirimin e dy kanadezëve erdhi disa orë pasi kompania kineze e komunikimeve, Huawei arriti marrëveshje me prokurorët e Shteteve të Bashkuara, duke i dhënë fund një beteje ligjore dhe politike gati trevjeçare, ku ishte e përfshirë jo vetëm SHBA-ja e Kina, por edhe Kanadaja.
Kovrig dhe Spavor ishin arrestuar në Kinë në dhjetor të vitit 2018, pak kohë pasi shefja ekzekutive e Huaweit – njëherësh e bija e themeluesit të kësaj kompania – Meng Wanzhou u arrestua në Aeroportin Ndërkombëtar të Vankuverit mbi bazën e një urdhëarresti të lëshuar nga SHBA-ja, që kërkonte ekstradimin e saj nga Kanadaja.
Kanadaja dhe SHBA-ja e cilësuan arrestimin e dy kanadezëve si “diplomaci të pengjeve” nga Kina, teksa kjo e fundit i akuzoi këto dy shtete për komplot kundër Huwai dhe përdorimin e sanksioneve të SHBA-së për të targetuar Mengun.
Top Channel