Hetimet mbi 6 janarin, Biden nuk do të bllokojë lëshimin e dokumenteve të administratës Trump

25/09/2021 07:47

Presidenti Joe Biden nuk do të zbatojë privilegjin ekzekutiv që gëzon për të ndaluar dhënien e informacioneve e komunikimeve të zhvilluara gjatë administratës Trump më 6 janar, në kuadër të një hetimi rreth sulmit të dhunshëm të asaj dite ndaj Kapitolit.

“Presidenti tashmë ka arritur në përfundimin se nuk do të ishte e përshtatshme që të zbatojë kompetencat që gëzon në këtë drejtim”, tha sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që po heton sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit, njoftoi të enjten se ka thirrur për të dëshmuar katër ish-anëtarë të administratës së zotit Trump, mes tyre Mark Meadows dhe Steve Bannon. Më 6 janar një turmë përkrahësish të zotit Trump sulmuan Kapitolin ndërsa ligjvënësit po çertifikonin fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhje.

Zoti Trump ka bërë të ditur se do të synon t’i sfidojë thirrjet zyrtare të bëra nga komisioni ndaj ish-këshilltarëve të tij, duke përmendur “privilegjit ekzekutiv dhe arsye të tjera”. Privilegji ekzekutiv i jep mundësinë Shtëpisë së Bardhë të refuzojë respektimin e kërkesave për informacioni të bëra nga Kongresi ose kërkesave të bëra në kuadër të Aktit mbi Lirinë e Informacionit. Parimi ligjor është i rrënjosur në idenë se këshilltarëve të presidentit u duhet dhënë njëfarë privatësie, në mënyrë që ata të bëjnë diskutime të sinqerta.

Në të kaluarën ka patur raste që një president në detyrë të ketë përdorur privilegjin ekzekutiv për t’i mbajtur sekrete komunikimet e një administrate të mëparshme, por kjo ka qenë e rrallë. Në kushtet kur Presidenti Biden heq dorë nga privilegji ekzekutiv, ishte e pritshme që zoti Trump të paraqiste një ankim. Përfaqësuesit e ish-presidentit nuk kanë bërë ende asnjë koment pas këtij zhvillimi./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA