Në kufirin Poloni-Bjellorusi, temperaturat gjatë natës shkojnë nën zero. Emigrantët e ngecur atje, nuk kanë shumë shanse. Katër persona mësohet të kenë humbur deri tani jetën nga i ftohti.
BBC bisedoi me disa refugjatë që pretendojnë se janë deportuar ilegalisht drejt Bjellorusisë prej trupave kufitare polake. Të trembur, e duke u dridhur, ata ishin mbledhur në pyll pranë kufirit. “Bota, thjesht nuk e di se cfarë po ndodh këtu”, thotë korespondenti i gjigandit mediatik anglez, Nick Beake.
BE-ja i vuri sanksione ekonomike Minskut për shtypjen e ashpër të bërë opozitës, dhe tani, akuzon bjellorusët se po hakmerren duke cuar drejt vendeve të bllokut europian emigrantëtë paligjshëm.
Emigrantët që dukeshin shumë të frikësuar, shpjeguan se trupat bjellorusë i marrin e i shtyjnë në kufi në ato vende ku nuk ka policë polakë.
Por nga ana tjetër, nëse zbulohen prej ushtarëve polakë, ata i kthejnë mbrapsht. Polonia, Letonia dhe Lituania, që te treja anëtare të BE-së kanë shpallur emergjencën mes shtimit të ndjeshëm të fluksit të emigrantëve që përpiqen të kalojnë kufirin nga Bjellorusia, teksa Brukseli e akuzon presidentin bjellorus Aleksander Lukashenko se po i përdor ata si armë kundër Bashkimit Europian, ndërsa Polonia nuk lejon as gazetarët e as punonjësit e ndihmës që t`i afrohen kufirit të saj.
Top Channel