“PD, jo me një këmbë tek e shkuara”/ Yuri Kim takon Bashën: PD, më e fortë pas tranzicionit

24/09/2021 19:51

E sapo kthyer nga Washingtoni ambasadorja Yuri Kim ngjiti shkallët e PD jo për të përcjellë ndonjë ultimatum sic bëri herën e fundit në 30 Korrik por ofroi mbështetje për opozitën e Lulzim Bashës në atë që e quajti si një fazë tranzitore ku ndodhet PD drejt fitimit të zgjedhjeve.

“U ktheva vetëm disa orë më parë nga Uashington, DC, ku pata mundësinë të bisedoj me udhëheqës të agjencive të ndryshme, përfshirë Departamentin e Shtetit, Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Drejtësisë dhe institucione të tjera. Dhe, sigurisht, pata mundësinë të përditësoj drejtuesit dhe kolegët e mi mbi situatën në Shqipëri. Mendova se ishte jashtëzakonisht e rëndësishme që të vija menjëherë në Partinë Demokratike për të ndarë me ta atë që mësova në Uashington dhe se çfarë do të bëjmë nga ky moment. I thashë Kryetarit Basha se Uashingtoni mbetet i përkushtuar për të punuar akoma më ngushtë me Partinë Demokratike.Ne jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se ky është një çast i vështirë për Partinë Demokratike por është një çast i përkohshëm, është një mundësi dhe shpresa jonë si Shtete të Bashkuara është se Partia Demokratike do të dalë më e fortë, do të dalë më e bashkuar, dhe do të jetë sërish në pozita për të fituar zgjedhjet”.

Për shtetet e Bashkuara tha ambasadorja Kim nuk ka kthim pas në ndëshkimin e të korruptuarve.

“Do doja gjithashtu të konfirmoja se në këndvështrimin e Uashingtonit, ne jemi seriozë sa s’bëhet në luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, dhe do të vazhdojmë të ecim përpara, dhe do të vazhdojmë ta luftojmë këtë problem kudo që e gjejmë atë, pavarësisht nga hierarkia, pozicioni apo partia”.

Të gjithë atyre përfshi Sali Berishën që pretendojnë se ambasada amerikane po shkel sovraninetin e vendit tonë,Yuri Kim iu përgjigj duke i kujtuar historinë.

“Kam parë disa raportime shqetësuese sipas të cilave ajo që ka ndodhur në lidhje me përcaktimin nga Departamenti i Shtetit, qenka një lloj sulmi ndaj sovranitetit të Shqipërisë. Është diçka faktikisht e gabuar dhe është ofenduese. Do doja t’i kujtoja cilitdo që më 6 maj 1919, kur pjesa tjetër e botës donte që Shqipëria të zhdukej, Shtetet e Bashkuara, Presidenti Uillson ishte ai që ngriti zërin dhe tha se Shqipëria duhet të jetë e pavarur. I vetmi ndryshim në atë deklaratë, të cilën e kemi shtuar, është që Shqipëria duhet të jetë jo vetëm e pavarur, por duhet të jetë edhe sovrane dhe demokratike. Ndaj atyre që janë përpjekur ta vendosin Shtetet e Bashkuara kundër popullit të Shqipërisë do t’iu thoja “E keni gabim!” Populli Shqiptar e di që e keni gabim. Pozicioni ynë për këtë çështje, të pavarësisë, sovranitetit dhe demokracisë së Shqipërisë nuk do të ndryshojë asnjëherë, pozicioni ynë për rëndësinë që ka Partia Demokratike nuk do të ndryshojë asnjëherë”.

Ambasadorja Yuri Kim foli edhe për disa reforma për të cilat nevojitet edhe bashkëpunimi opozitës.

“Ka shumë punë për të bërë në ditët, javët dhe muajt që vijnë. Është thelbësore dhe është shumë mirë që Partia Demokratike është kthyer në parlament plotësisht. Ka veprime që duhen ndërmarrë për të siguruar zgjedhje më të mira herën tjetër, për të trajtuar mangësitë që u identifikuan në raportin e ODIHR-it. Ka edhe punë për të bërë për reformën territoriale, ka punë për të bërë kundër korrupsionit. E gjitha kjo kërkon një Parti Demokratike të fortë, të bashkuar që ecën përpara dhe nuk mund të ecësh përpara me një këmbë të ngecur tek e kaluara. Si gjithmonë, presim me kënaqësi të ecim përpara me Shqipërinë, me popullin Shqiptar, me Partinë Demokratike, duam të shohim nga e ardhmja. Ndaj, le të ecim përpara”.

Top Channel