Emri/ U kap në fermë kanabisi në Britani, justifikimi i 24-vjeçarit: Më premtuan punë, do ndihmoja familjen në Shqipëri

24/09/2021 20:20

Një 24-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia britanike pasi u kap duke punuar në një fermë kanabisi në Great Harwood.

I riu, i identifikuar si Riza Rama do të paguhej me 3000 paund për 2 muaj nëse do të kontrollonte rritjen e bimëve narkotike.

Por gjithçka mori fund pasi u kap nga policia sepse fqinjët raportuan aktivitet të dyshimtë në banesë. Gjatë kontrollit në banesë, policia gjeti bimë kanabisi në katër dhoma dhe prova të bimëve të rritura më parë. Rama u përpoq t’ia mbathte nga dera e pasme, por u arrestua dhe u dënua me 32 muaj burg.

Ai kishte bërë lidhje të paligjshme të energjisë elektrike me ndriçim dhe impiante për rritjen e lëndëve narkotike.

Ai kishte me vete 140 paund cash, dy telefona celularë, një personal dhe një për biznes. Në dëshminë e tij, Rama tha se kishte shkuar në Mbretërinë e Bashkuar 15 ditë para se të arrestohej dhe u transferua në këtë zonë pasi i kishin premtuar se do të niste punë si kopshtar.

Ai hodhi poshtë akuzat për ndërhyrje në rrjetin elektrik ndërsa shtoi se kishte nevojë të punonte për t’i dërguar para familjarëve të tij në Shqipëri.

Top Channel