Aleksandar Vucic reagoi sërish ndaj zhvillimeve në kufirin me Kosovën, duke thënë se pala kosovare po kërkon njohjen, por kjo sipas tij, nuk ka për të ndodhur.

Situata, tha presidenti serb, duhet të kthehet sic ishte në 20 shtator e më pas të vazhdojnë bisedimet. Vendosja e reciprocitetit të targave të automjeteve nga Serbia shkaktoi reagime të forta dhe tensionet ne veriun e Kosovës, ende nuk janë ulur.

“Ne u thamë atyre, nuk ka problem, tërhiqni ROSUN dhe do të flasim.

Çfarë veprimesh bëri Serbia? Këtë radhe nuk ka bërë gjë. Të gjithë i pengon një Serbi e fortë. Ata duan që Serbia t’i njohë. Unë nuk do të pajtohem me atë që duan ata. E përsëris, ktheni gjendjen që ishte para 20 shtatorit, e ndoshta mund të flasim. Thërrisni NATO-n, telefononi këdo, por nuk do të merrni pëlqimin e Serbisë.

Ata kanë interesat e tyre, e kjo është që Kosova të jetë e pavarur e ta detyrojë Serbinë të marrë pjesë në atë që nuk është në interes të saj. Por jo, kur filloni të gënjeni kështu vazhdon. Ju shesin 5 kilogramë portokaj për 1000 dinarë. E pastaj vijnë policët e të thonë edhe 300 dinarë. Unë nuk paguaj leket dhe nuk do t`i jap ato 300 dinarë”, është shprehur Vucic.

Një ditë më parë, teksa i i bëri thirrje serbëve të mos bllokojnë rrugët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se “nuk e kuptonte inatin plot vrer të presidentit të Serbisë, në një kohë kur ai e dinte shumë mirë se në 15 shtator skadonte afati i marrëveshjes, të cilën vetë Beogradi e ka pranuar në Bruksel”.

Top Channel