Rrugët pranë shkollave, pedonale/ Veliaj tregon masën e marrë për të rritur sigurinë e nxënësve

23/09/2021 16:23

27 Shtatori do ta gjejë Tiranën me 10 shkolla të reja, të rindërtuara nga e para. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili së bashku me ministren e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, zhvilluan një takim me drejtuesit e shkollave në kryeqytet, ka deklaruar se ky vit i ri për arsimin parauniversitar do të hyjë në histori sa i përket investimit në infrastrukturën shkollore në Tiranë. 

“Kur mendoj vitet e para në bashki, hapëm vetëm shkollën “Servete Maçi” si ndërtesë e re dhe na dukej një gjë shumë e madhe. Tani, me shkollat që hapim në shtator, do hapim edhe katër të tjera në tetor, kurse pjesën tjetër në Janar, besoj se do hyjmë në histori si një ditë ku e kthyem fatkeqësinë e tërmetit në mundësi për të bërë shkolla,” u shpreh Veliaj.

Ministrja Evis Kushi e vuri theksi te standardet me të cilat po ndërtohen shkollat e reja, teksa vlerësoi punën dhe bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës.  Për kryebashkiakun e Tiranës, Veliaj hapja e shkollave të reja bën akoma më të domosdoshëm rolin e administratorit, që ashtu siç u veprua për pallatet do të vendosen edhe në çdo institucion arsimor, për të bërë edhe më eficent procesin e mirëmbajtjes.Ai u ndal edhe tek siguria në shkolla.

“Kemi gjyqtarë që i japin të drejtë një gomisterie për kangjellat që i ka vendosur ngjitur me shkollën dhe në vend që të fitojë shkolla dhe bashkia, që duan t’i heqin, në gjykatë fiton gomisteria,” tha Veliaj, duke shtuar se, për të rritur elementët e sigurisë, disa rrugë afër shkollave gjatë orarit mësimor do kthehen në pedonale.

Kryebashkiaku nënvizoi gjithashtu nevojën e komunikimit me prindërit për problemet që lidhen me Bashkinë, duke shprehur gatishmërinë e institucionit që ai drejton për të qenë i pranishëm edhe në takimet me prindër.

Top Channel