“Protestat, nga strukturat paralele”/ Ministri i Brendshëm i Kosovës: Organizatorët do penalizohen

23/09/2021 15:39

Organizatorët e protestave dhe vendosjes së barrikadave në dy pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, Jarinje dhe Bërnjak, janë strukturat paralele që veprojnë në këtë pjesë të vendit.

Kështu ka thënë Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një intervistë për Top Channel.

Sveçla thotë se këto dy bllokada janë të kundërligjshme dhe po organizohen me ombrellën e Serbisë, për çka policia kishte pasur informacion dhe shkoi aty për t’i mbrojtur zyrtarët kufitar.

Deri me tani rreth 6 mijë qytetarë kanë pranuar tabelat e përkohshme, prej tyre rreth 1 mijë e 500 janë kërkuar nga vetë banorët serb në Qendrat e Regjistrimit Civil.

Ministri Sveçla thotë se Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës do të vazhdojnë të qëndrojnë aty derisa të zbatohet ligjshmëria.

I pyetur se për sa kohë dhe si do të bëhet zëvendësimi i tabelave ilegale në veri të vendit, Svecla nuk ka dhënë detaje, por ka pranuar se ato janë shkak që Kosova nuk po mund të ketë qasje në Kartonin e Gjelbër.

Svecla thotë se një pjesë e kryetarëve të komunave serbe janë bashkëpunëtor të strukturave paralele, por pjesa tjetër kanë bashkëpunuar për qetësimin e situatës.

Nga kjo bllokadë ai thotë se më së shumti po e vuajnë qytetarët, të cilët detyrohen të kalojnë kufirin në këmbë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA