Rishfaqja e italianit që mendohej se ishte vrarë në Pukë ka detyruar prokurorinë për të ndryshuar tërësisht hetimin.

Nga një hetim për vrasje, vepra penale po rikualifikohet por ndërkohë burimet i thanë top channel se do mblidhen të dhënat, edhe në Itali nga prokuroria italiane para se të ketë një vendim edhe për arrestimin e tij. Davide Pecorelli, biznesmeni italian që sajoi vdekjen e tij në fakt i ka trazuar keq ujërat me disa rrëfime shumë kontradiktore.

Ndërsa thoshte se jetoi i fshehur në Bosnje me priftërinjtë, ai në fakt qëndroi në Vlorë, atje ku u njoh me shumë miq. Një prej të cilëve edhe Rrapo Tahon, ish futbollistin e kombëtares dhe të ekipit të Flamurtarit. Biseda për futbollin i bëri ata shumë miq.

“Kristianon e kam njohur para fillimit të kampionatit evropian, kishte disa kohë që bënte plazhin aty ku e bënim ne, mbrapa tunelit. Duke bërë plazhin ishte njohur me disa vlonjate dhe merr vesh se kush isha unë, dhe më afrohet e më pyet për shumë gjëra”, shprehet ai.

Taho tregon se italiani me emrin Kristiano ishte gjithmonë pjesë e tavolinave të tyre. Ai ju thoshte se nuk kishte para të paguante dhe se ishte pothuajse gjithmonë i ftuari i tyre në tavolina. Ndërsa tregonte se në Shqipëri po qëndronte për një libër për kontin e Monte Kristos. Pak ditë para zhdukjes ai kishte kërkuar të shkonte në Greqi me ekipin e flamurtarit.

“Kishim një takim miqësor në Gumenicë dhe do të iknim dhe ai e merr vesh nga një mik dhe më thotë do vij ta shoh Gumenicën se nuk e kam parë dhe që aty iki më kollaj në Ancona. Më thotë do të iki sonte sepse kam shtruar babanë në spital nga infarkti dhe do të nisem me avion në 5 e gjysmë”, shton më tej.

Ndërsa biseda e fundit ka qenë në telefon kur Davide kishte mbërritur në Itali.

“Kam komunikuar në Gumenicë. Kur vajta e marr në telefon dhe i them a mbërrite, si u bë babai edhe më kthen: Faleminderit është e mirë. Kthehemi të hënën dhe e marrë në telefon dhe më thotë që është mirë faleminderit. Nga e hëna e deri në këto momente që flasim tani asnjë komunikim”, tha ai.

Top Channel