Britania në zi për mësuesen 28 vjeçare të vrarë nga i panjouri gjatë ecjes disa-minutëshe në park (fotot)

23/09/2021 15:20

Mësuesja britanike e shkollës fillore Sabina Nessa ishte duke shkuar në një takim të parë, kur u vra gjatë kalimit disa minutësh në parkun pranë banesës, shkruanin sot mediat vendase.

28-vjeçarja kishte dalë nga shtëpia e saj për të takuar një djalë në barin ‘The Depot’ në Kidbrooke Village, në juglindje të Londrës të premten, por nuk arriti kurrë atje.

Ajo ishte sulmuar në park rreth orës 20.30, ndërsa trupi i saj i pajetë u gjet mëngjesin tjetër nga një kalimtar, i mbuluar me gjethe.

Askush nuk e kishte raportuar atë të humbur edhe pse nuk u paraqit në takim, tha policia.

Një mik i saj tha për të përditshmen MailOnline: “Sabina do të shkonte në një takim mbrëmjen e të premtes. Do të dilte me një djalë, në barin e zonës. Nuk e di nëse e njihnin njeri-tjetrin që më parë apo ishin njohur online, por ishte një takimi parë mes tyre.”

Zbulimet vijnë teksa kreu i policisë Trevor Lawry tha se vrasësi mund të godasë përsëri dhe hetimet për vrasjen vazhdojnë.

Policia po heton nëse ajo është vrarë nga një i panjohur për të, por insistojnë se rrugët e Londrës janë të sigurta për gratë dhe çdo raportim po merret seriozisht.

Lawry shtoi: “Rrugët tona janë të sigurta për gratë, për këtë e siguroj publikun. Oficerët tanë ju sigurojnë për këtë”.

Mbrëmë motra e Nessa i bënte homazhe të ndjerës duke shkruar: “Motra ime e dashur dhe e kujdesur. Asnjë herë në jetë nuk kishim menduar se mund të ndodhte diçka e tillë. Allahu i dhëntë xhenetin. #SabinaNessa.”

Ndërkohë po bëhen paralelizma mes vrasjes së fundit dhe asaj të 33-vjeçares Sarah Everard në mars në Londër,  mes tërbimit për faktin se gratë nuk janë më të sigurta në rrugët e Londrës, shkruan Daily Mail.

Ndërsa më 6 qershor të vitit të shkuar motrat Nicole Smallman, 27 vjeçe, e Bibaa Henry, 46, u qëlluan për vdekje me thikë në zonën e Wembley nga 19-vjeçari Danyal Hussein, i cili tha më vonë ishte “instruktuar nga demonët”.

Sabina ishte vendosur në Kidbroke Village verës që shkoi dhe kompleksi ka pamje nga liqeni i parkut ku gjeti vdekjen.

Një zëdhënës i kryeministrit britanik Boris Johnson tha: “Fokusi i kryeministrit është që rrugët tona të jenë të sigurta për të gjithë, prandaj ne po investojmë dhe po rekrutojmë më shumë policë”.

FOTO GALERI
1/7
Mësuesja britanike e shkollës fillore Sabina Nessa ishte duke shkuar në një takim të premten, kur u vra gjatë kalimit disa minutësh në park

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA