Qytetarët e Serbisë kanë nisur të lëvizin në territorin e Kosovës me targat provizore.

I dërguari Top Channel në Kosovë Muhamed Veliu ka filmuar në aksin rrugor Mitrovicë-Prishtinë këtë makinë tip “Honda” e cila e ka hequr targën e Serbisë dhe lëviz me një tjetër provizore vendosur në xhamin e pasmë dhe të parë.

Qeveri e Kosovës thotë se deri me tani janë lëshuar mbi 1500 targa të tilla.

Një zyrtar i departamentit të targave i tha Top Channel se në zyrën e Mitrovicës dhe në të tjera të ngjashme në Veri të këtij qyteti paraqiten qytetarë të cilët pasi paguajnë 5 euro marrin targat e përkohshme.

Në mbledhjen e qeverisë këtë të Mërkurë kryeministri Albin Kurti deklaroi se:

Vendimi për targat është i drejtë dhe garanton të drejtën e lëvizjes së lirë, përfshirë edhe qytetarëve serbë. Pengesat janë duke u bërë me disa kamionë pronë komunale dhe kjo është keqpërdorim i aseteve publike. Ftoj grupin e organizuar të qytetarëve serbë sepse ata kanë bllokuar veten e tyre dhe lëvizjen. Për incidente dhe eskalim s’kanë interes as qytetarët e as shteti ynë, s’kanë interes as serbët e Kosovës e as Serbia. Duket se interes ka vetëm një individ, presidenti i Serbisë”.

Top Channel