SPAK kërkon arrestimin e Llallës/ Gjykata e Posaçme e Apelit lë në fuqi dënimin me dy vjet për Adriatik Llallën

22/09/2021 19:32

Adriatik Llalla, ish prokuror i përgjithshëm deri në fund të 2017 do të shkojë në burg!

Vendimi mori formë të prerë në Gjykatën e Posaçme të Apelit që e shpalli fajtor për fshehje të pasurisë për tre raste dhe e dënoi atë me dy vite burgim. Ky vendim që la në fuqi një të mëparshëm është i pari ndaj një prej ish zyrtarëve më të lartë të prokurorisë së përgjithshme, i hetuar nga SPAK.

Menjëherë nga gjykata ai i dorëzohet dy prokurorëve, që sipas ligjit kërkojnë ekzekutimin e tij, thënë ndryshe arrestimin e kryeprokurorit.

Por, Adriatik Llalla nuk ishte i pranishëm mbasi sipas avokatit vuan nga probleme shëndetësore dhe po kurohet.

Megjithatë mundësitë janë që Llalla të jetë larguar jashtë vendit, ndonëse kjo do të kuptohet kur në shtëpinë e tij të mbërrijë policia, e cila është ngarkuar nga SPAK për arrestimin e ish-kryeprokurorit.

Ish prokurorit të përgjithshëm veç vendimit të fajësisë i ndalohet ushtrimi i funksioneve publike për pesë vitet e ardhshme, ndërsa i janë konfiskuar disa pasuri mes tyre toka dhe një apartament.

Top Channel