Përfaqësuesit e shqiptarëve në komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në jug të Serbisë kërkuan nga Qeveria e Kosovës që këto komuna të përjashtohen nga vendimi për reciprocitet të targave të automjeteve.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Ragmi Mustafi, tha për REL se kërkesa është bërë për shkak të problemeve në qarkullim që kanë hasur banorët e këtyre zonave.

Ai tha se është kërkuar që të mundësohet liria e lëvizjes për të gjithë qytetarët. “Ne dërguam një kërkesë për përjashtimin e komunave të Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës nga vendimi. Nuk bëhet fjalë veçmas për shqiptarët apo serbët por për ato tri komuna që janë shumë të lidhura me Kosovën, nga të cilat njerëzit udhëtojnë çdo ditë”, tha Mustafi.

Për përfaqësuesit shqiptar të Luginës së Preshevës, vendimi i Qeverisë së Kosovës, është politikisht i kuptueshëm por zbatimi i tij është i diskutueshëm sepse shqiptarët nga Lugina e Preshevës i kthen në pengje të Prishtinës dhe Beogradit.

“Ne mbështesim çdo vendim të Prishtinës që forcon shtetësinë e Kosovës, por kjo lëvizje na bën peng. Ajo ka goditur më shumë shqiptarët nga Lugina e Preshevës, të cilët kanë lidhje familjare dhe historike me Kosovën”, tha ai.

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë, shoferët me targa të Serbisë kur hyjnë të Kosovë duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj siç detyrohen qytetarët e Kosovës me targa RKS që t’i ndërrojnë ose t’i mbulojnë ato kur hyjnë në Serbi.

Top Channel