Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të qeverisë ka folur sërish për vendimin e reciprocitetit me Serbinë për tagrat e automjeteve.

Kurti falënderoi MPB-në dhe Policinë e Kosovës për punën e tyre gjatë këtyre ditëve.

Ai tha se vendimi për targa është i drejtë dhe garanton të drejtat për lëvizjen e lirë të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë edhe qytetarët serbë.

“Përgjigja pozitive gjatë këtyre ditëve e qytetarëve tanë dhe serbëve lokal, tregon më së miri gatishmërinë e tyre për të respektuar vendimin”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka thënë se bllokimi i rrugëve në dy pikat kufitare po bëhet me kamionë që janë pronë e institucioneve komunale.

“Pengesat në rrugët që shpien në dy pikat kufitare janë duke u bërë me kamionë që janë pronë e institucioneve komunale dhe kjo përbënë shkelje dhe keqpërdorim të pronës publike. Ftoj kryetarët e komunave në veri të Ibritit t’i tërheqin automjetet e institucioneve komunale nga rruga, dhe qytetarët serb të largohen nga rruga meqë kështu kanë bllokuar vetveten dhe lëvizjen e tyre”, u shpreh Kurti.

Kurti shtoi se masat që kanë ndërmarrë janë për të gjithë pa diskriminuar asnjëri.

Ai theksoi se Kosova nuk ka interes për incidente duke thënë se për këtë interes ka vetëm presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic.

“Për incidente e eskalim nuk kanë interes as shteti i Kosovës e as qytetarët tonë, as serbët në Kosovës, nuk ka interes për destabilizim as Serbia. Duket që vetëm një individ  ka interes për incidente e eksese, e ai është presidenti i Serbisë”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se Kosova është për bisedime e dialog, dhe se këtë ia kanë konfirmuar edhe Brukselit.

“Ne jemi për bisedime e dialog, këtë ja kemi konfirmuar edhe Brukselit. Oferta jonë publike është tejet praktike e gjeneroze e kjo është le ti heqim tabelat e përkohshme edhe Serbia e Kosova. Nuk është në interes të Serbisë të refuzoj dialogun e bisedimet siç po bënë tash. Brukseli është vendi ku duhet të zhvillohen takimet e bisedimet”, tha Kurti.

Top Channel