Ish-kryeprokurori pas hekurave/ Gjykata e Posaçme e Apelit lë në fuqi dënimin me 2 vjet për Adriatik Llallën

22/09/2021 14:13

Pas një kalvari procesesh gjyqësore, Gjykata e Posaçme e Apelit dha vendimin përfundimtar duke dërguar pas hekurave për 2 vite ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla.

Pas këtij vendimi, Llalla është ish-zyrtari më i lartë i Prokurorisë i dënuar në vendin tonë deri më tani.

Gjykata e Posaçme e Apelit  la në fuqi vendimin e datës 20 maj të Shkallës së Parë dhe rrëzoi të gjitha pretendimet e avokatit,  duke theksuar se janë të pabazuara. Veç heqjes së lirisë, Llalla  nuk do të ushtrojë funksione publike për 5 vite.

Pasuritë e paluajtshme të sekuestruara do konfiskohen dhe kalohen në favor të shtetit, ku përfshihen:

Pasuria e paluajtshme apartament, me sipërfaqe 67.2 m2, e ndodhur në Durrës.

Pasuritë e paluajtshme të llojit tokë arë, 4 (katër) pasuri, me sipërfaqe gjithsej 22.300 m2 të ndodhura në Tiranë.

Ky vendim është i formës së prerë dhe pritet arrestimi i tij, ndërsa nuk dihet ende se ku ndodhet.

Gjatë komunikimit me avokatin e Llallës, ai tha se po kurohet në një spital duke mos përmendur në vendin tonë apo jashtë.

Avokati Sokol Hazizaj kërkoi sërish pafajësi për Llallën,  rigjykim të dosjes ose shpallje moskompetence.

Nga ana tjetër, avokati tha se ish-kryeprokurori është në spital më gjendje të rëndë shëndetësore duke kërkuar që kjo të merret parasysh nga Gjykata në dhënien e vendimit.

Avokati i Llallës kërkoi pafajësi, rikthim për gjykim ose në rast dënimi, pezullim të dënimit për shkak të gjendjes së tij shëndetësore të sëmundjes së parikuperueshme.

Kujtojmë se ish-kryeprokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ankimoi dënimin me 2 vite burg në Shkallë të Parë për akuzën e fshehjes së pasurisë në 3 raste.

Duke iu bindur hetimit të SPAK, Gjykata urdhëroi kërkesën për konfiskim të gati 22 mijë metrave katrorë truall dhe një apartamenti në Durrës dhe aprovoi si dënim shtesë edhe mohimin për të marrë funksione publike për pesë vite.

Mbrojtja e Llallës këmbënguli më herët se nuk kishte fshehur asgjë përveç shpenzimeve të Gjermanisë që ishin harruar të deklaroheshin nga gabimi njerëzor.

Mirëpo, Gjykata gjeti të provuar të kundërtën, edhe për tokat që sipas hetimit të SPAK u rivlerësuan disa fish më tepër nga vlera që ishin blerë edhe për faturën spitalore në SHBA dhe kostot për ndërtimin e një shtese.

Shefja e diplomacisë amerikane në Tiranë, Yuri Kim, i kërkoi kreut të SPAK, Arben Kraja që të mos kurset nga gjykimi askush i korruptuar.

Top Channel