Chelsea i Thomas Tuchel është shndërruar në një makineri perfekte, pasi jo vetëm ia doli të triumfojë në Ligën e Kampionëve dhe Superkupën Europiane, por po bën mjaft mirë edhe në këtë start të sezonit, duke hedhur kandidaturën për titullin kampion të Premier Leagues.
Mbrojtja është reparti më solid i “bluve” të Londrës, që duket se kanë gjetur ekuilibrat e duhur, pasi gjermani Antonio Rudiger dhe danezi Andreas Christensen janë përshtatur në mënyrë perfekte me rreshtimin me tre në prapavijë dhe janë shndërruar në titullarë të padiskutueshëm.
Këtyre të dyve u është bashkuar edhe eksperienca e veteranëve Thiago Silva e Cesar Azpilicueta dhe të gjithë se bashku i ofrojnë trajnerit Tuchel garancinë e nevojshme për t’u përballur me çdo lloj kundërshtari.
Megjithatë për drejtuesit e klubit, ky është reparti më problematik, pasi të katër mbrojtësit që po mbajnë peshën e prapavijës, kanë kontratë deri në fund të sezonit dhe deri tani nuk është arritur marrëveshja e rinovimin me asnjërin prej tyre.
Gjermani Antonio Rudiger ka refuzuar deri tani disa oferta të londinezëve, pasi dëshiron të shfrytëzojë mundësinë për t’yu larguar si lojtar i lirë dhe për të përfituar një kontratë prej “top player”-i, të cilën janë gati t’ia ofrojnë klube si Reali i Madridit e Barcelona.
Nga ana tjetër, braziliani Thiago Silva ka 37 vite mbi supe dhe në fillim të sezonit të ardhshëm do të festojë ditëlindjen e 38, ndaj duke parë edhe problemet e vazhdueshme fizike, vështirë se do t’i ofrohet zgjatja e bashkëpunimit.
Për momentin puna e drejtuesve të klubit është fokusuar te zgjatja e kontratës së spanjollit Cesar Azpilicueta, i cili po luan sezonin e tij të 10 me Chelsea-n dhe arritja e marrëveshjes nuk do të jetë e vështirë, për vetë lidhjen e fortë që ekziston mes palëve.
Gjithashtu edhe 25-vjeçarit Christensen i është ofruar një kontratë e re deri më 2026-ën, që parashikon edhe një rritje të ndjeshme të pagës, nga 78 mijë paundë në javë, në 125 mijë paundë në javë, ose rreth 6 milionë paundë në sezon.
Sponsor i fortë i mbrojtësit Christensen është edhe vetë trajneri Tuchel, që ka folur vazhdimisht me superlativa për danezin, duke vlerësuar mbi të gjitha aftësinë e tij për t’u përshtatur në të tre pozicionet e prapavijës.
Top Channel