Primera Division mbylli javën e pestë me ndeshjen Barcelona – Granada në “Camp Nou”, megjithatë kohë për të pushuar për futbollistët nuk ka në një periudhë të tillë të ngjeshur dhe lojtarët në kampionatin spanjoll do të kthehen menjëherë në fushë, për javën e gjashtë të kampionatit, që hapet me derbin madrilen Getafe – Atletico.
Kampionët në fuqi udhëhiqnin klasifikimin e përgjithshëm bashkë me Realin e Madridit dhe Valencian, por bardhekuqtë nuk shkuan dot përtej barazimit në shtëpi me Athletic Bilbao-n, ndërsa skuadra merengues fitoi duelin e ndezur në “Mestalla”, duke përmbysur pikërisht në çastet e fundit Valencian, në kryendeshjen e javës së pestë.
Në sfidën me Bilbaon munguan kapiteni Koke dhe mesfushori Thomas Lemar, gjithsesi me kthimin në skuadër të francezit Antoine Griezmann tani 51-vjeçari nga Buenos Airesi ka në dispozicion alternativa pa fund në repartin e sulmit. Për çudi këtë radhë trajneri argjentinas po has vështirësi për të sistemuar 30-vjeçarin nga Bourgogne, që siç dihet aktivizohet me bardhekuqtë, por ka kaluar në formë huazimi nga klubi i Barcelonës. Përveç futbollistit të përfaqësueses franceze përpara Simeone mund të mbështetet gjithashtu edhe te emra të tillë si Luis Suarez, Angel Correa, Joao Felix apo qoftë edhe te lojtari i ri i kombëtares braziliane Matheus Cunha, që erdhi nga Bundesliga, nga skuadra e Hertha-s së Berlinit, pa harruar aspak gjithashtu edhe volumin e punës apo rrezikshmërinë që krijojnë kohë pas kohe me kontributin e tyre në fazën sulmuese edhe lojtarë të tillë si Marcos LLorente, Yannick Carrasco, Rodrigo De Paul, Koke, Thomas Lemar apo dhe Hector Herrera.
Ndaj Athletic Bilbaos, Diego Simeone i besoi nga minuta e parë dyshes Griezmann – Correa, ndërsa në pjesën e dytë kur e pa që gjërat nuk po funksiononin “El Cholo” provoi të ndryshojë, duke futur në fushë njëri pas tjetrit gjithë lojtarët e tjerë që kishte në dispozicion, duke filluar nga treshja Luis Suarez, Yannick Carrasco, Hector Herrera, ndërsa 5’ më vonë preku tapetin e blertë pikërisht futbollisti më i shtrenjtë në historinë e klubit Joao Felix, ndërkohë pothuajse çerek ore para fundit Diego luajti me dëshpërim edhe kartën Matheus Cunha. Në fund nga 14 tentativat e Atleticos futbollistët e Simeones dërguan vetëm dy gjithsej në kuadrat dhe befas bardhekuqtë kuptojnë se nuk janë më në gjendje për të fituar brenda në shtëpinë e tyre.
Mungesa e rezultateve ka sjellë gjithashtu edhe nervozizëm, gjë që u vu re qartë edhe në duelin me Bilbaon, ku Joao Felix ndonëse kishte të drejtë për ndërhyrjen e gabuar në dëm të tij reagoi keq ndaj kryesorit Gil Manzano, i cili pa hezituar aspak i nxori me shpejtësinë e dritës dy kartona futbollistit luzitan dhe për pasojë skuadra “rojiblanco” e mbylli takimin në inferioritet numerik. Villarreal, Porto dhe Bilbao. Tani shkon në tre numri i barazimeve rresht në Stadiumin “Wanda Metropolitano” për kampionët në fuqi, gjë që ndodh për herë të parë në këtë shekull për vendasit në shtëpi, në sfidat kompetitive, por mbi të gjitha edhe dy ndeshje radhazi pa gjetur rrugën e rrjetës për skuadrën e Simeones.
Vlen të theksohet edhe fakti që në sfidat me Villarreal-in dhe Espanyol-in Atletico e Madridit ia doli që të shpëtojë vetëm në fund, respektivisht në minutat 95′ dhe 99′ të këtyre takimeve. Në krahun tjetër Getafe e ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme edicionin e sivjetshëm të Primera Division. Ky është pikërisht starti më i dobët për “azulones” në elitën e futbollit spanjoll, e me një ecuri të tillë blutë kanë rrëshqitur drejt e në vendin e parafundit, me 5 humbje në 5 ndeshjet e para të ligës, me vetëm 1 gol të shënuar dhe 8 të pësuar.
Në fundin e muajit maj Michel zuri vendin e trajnerit të mëparshëm Jose Bordalas, që mori timonin e Valencias, por gjithsesi Getafe është klubi i katërt në këtë shekull, që e nis ligën pikërisht me pesë humbje rresht, sidoqoftë pavarësisht këtij starti tepër të dobët kurioz është fakti që vetëm një prej këtyre klubeve Malaga në sezonin 2017/18 është rrëzuar më pas në Segunda Division. Në 12 muajt e fundit Getafe ia ka dalë mbanë për t’i rrëmbyer pikë treshes Atletico – Real – Barca, ndërkohë në këto pesë javët e para “blutë” janë mposhtur minimalisht në sfidat e tyre me kundërshtarë si Valencia, Sevilla dhe Barcelona.
Në takimin e fundit Getafe u shkërmoq 3-0 në derbin e vogël madrilen me Rayo-n në Vallecas, gjithsesi është e kuptueshme që në këtë edicion “azulones” janë përballur gjithashtu edhe me një kalendar vërtet shumë të vështirë. Getafe këtë herë do të ketë favorin e faktorit fushë, megjithëse për hir të së vërtetës vendasit nuk e mundin Atletico-n në derbi në shtëpi që nga viti i largët 2011. Pra Atletico ka fituar 6 dhe barazuar 3 në 9 përballjet e fundit në fushën e Getafe-s, por mbi të gjitha blutë në këto 9 takime nuk kanë arritur të shënojnë qoftë edhe një gol të vetëm në portën e “los colchoneros”. Derbi Getafe – Atletico Madrid do të mbahet në orën 19:30 në “Coliseum Alfonso Perez” dhe do të drejtohet nga kryesori Guillermo Cuadra Fernandez.
Top Channel