Gjermania do të ndihmojë Shqipërinë në riorganizimin e Policisë Kriminale dhe reformimin që do të bëhet në tërësi në Policinë e Shtetit.
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi priti në një takim ambasadorin e Gjermanisë në vendin tonë Peter Zingraf, i cili i dorëzoi raportin e Policisë Federale.
“Sot pata kënaqësinë që takimin e parë pas betimit si Ministër i Brendshëm në kabinetin e ri qeveritar ta kisha me ambasadorin e Gjermanisë në Tiranë z.Peter Zingraf. Më dorëzoi zyrtarisht raportin e Qeverisë Federale për riorganizimin e Policisë Kriminale dhe reformimi që do të bëjmë në tërësi në Policinë e Shtetit. Sikundër e bëra me dije në Kuvend kur prezantova Programin për Sigurinë, do të fillojmë menjëherë punën me partnerët gjermanë për ta çuar përpara edhe këtë prioritet. Raporti që më dorëzoi ambasadori është një udhërrëfyes me vlerë tejet të rëndësishme”, shprehet Çuçi.
Asistencën e Policisë Federale ministri Çuçi e përmendi edhe në Kuvend teksa po mbahej seanca për votimin e qeverisë së re. Ai evidentoi gjithashtu 4 elementë që sipas tij do të jenë fokusi i këtij mandati të tretë në Programin për Sigurinë: Mbrojtja e territorit, forcimi i rendit dhe i sigurisë, ofrimi i shërbimeve sa më cilësore dhe thellimi i luftës kundër çdo forme të krimit të organizuar dhe fenomeneve të jashtëligjshme. Për kriminalitetin tha Çuçi, objektivi është që të ulet nën mesataren e vende të BE-së. Ndërkohë që në çdo kryqëzim rruge do të vendosen kamera sigurie.
Top Channel