Davide Pecorelli u gjet i gjallë pas 8 muajsh/ Kryebashkiaku i Pukës: Nuk u befasova nga ky lajm!

20/09/2021 13:23

Biznesmeni italian, Davide Pecorelli, i cili u shpall i zhdukur në janar të këtij viti në Shqipëri kishte inskenuar vdekjen e tij për të përfituar sigurimet e jetës.

Biznesmeni doli zbuluar, pasi riaktivizoi kartën e tij të bankës për të tërhequr para. Kjo bëri që të kuptohej se ai është gjallë. Megjithatë Pecorelli u zbulua rastësisht në Toskana, në brigjet e Livornos.

Gomonia e tij po mbytej dhe në operacionet e shpëtimit u zbulua se një prej anëtarëve ishte pikërisht ai.

Kjo çështje u diskutua ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku në një lidhje “Skype” ishe kryetari i Bashkisë së Pukë, Gjon Gjoni, i cili tha se Pecorelli nuk kishte vdekur.

“Nuk më erdhi ndonjë befasi e madhe ky lajm! Kam pas një besim të jashtëzakonshëm, duke u bazuar te disa fakte. Puna ime në territorin e bashkisë nuk ka të bëjë vetëm me anën funksionale, por me të gjitha. Pecorelli bëri një skenë të mirë përgatitur në Itali, jo në Shqipëri. Ardhja e tij në 6 janar të këtij viti, me produkte parukerie ishte e dyshimtë.  Ne nuk shquhemi as për këtë fushë dhe nuk jemi aq shumë njerëz. Ai ka ardhur dhe ka studiuar vendin dhe ka pasur para sysh ku do bëhet dhe si do bëhet”, tha Gjon Gjoni.

I pyetur nëse e njihte më para Pecorellin, kryebashkiaku i Pukës tha “jo” dhe se e ka njohur vetëm kur ka ndodhur ngjarja. Më pas Gjoni shtoi se “biznesmeni italian ka qëndruar dy ditë në hotel, ditën e tretë nuk është kthyer edhe pse kishte prenotuar”.

 “Zjarrfikësja ka qenë shumë shpejt në vendin e ngjarjes dhe për aq kohë nuk mund të digjej trupi. Komandanti i zjarrfikëses ishte shumë i dyshimtë, p që nga forma si ka rënë makina dhe pamundësia që një trup të digjej aq shpejt ku thuhet se duhet dy orë ose më shumë”, tha kryebashkiaku.

Gjithashtu aty janë rrugë dhe vende që nuk ndodhin të tilla precedentë. Ne kemi një zakon, zona të paprekshme, nuk mund të presim në besë një të huaj apo këdo tjetër aty. Është më e pamundur.

Teksa u pyet se pse Pecorelli ka zgjedhur Pukën, Gjoni tha se është një vend që mund të kalojë me lehtësi në Mal të Zi dhe Kroaci.

“Në dendësi të madhe, bëhej rrethimi i zonës dhe ai kapej menjëherë. Zgjodhi Pukën që të kalonte nga kufiri sa më shpejt. Mendohet se Pecorelli ka kaluar nga Mali i Zi, pjesa më e mundshme. Nga Morina është e gjatë. I ka interesuar që të kalojë Malin e Zi dhe Kroacinë sa më shpejt”, përfundoi kryetari i Bashkisë së Pukës.

Top Channel