Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi sot se ai i refuzoi të gjitha propozimet e supozuara si kompromise në lidhje me Kosovën, ndërkohë që ka bërë të ditur se nesër do të diskutojnë lidhur me masat shtesë pas vendosjes së reciprocitetit për targa nga ane e Prishtinës zyrtare.

Ai në një konferencë për media në Beograd tha se “durimi i Serbisë nuk është i pakufizuar, se gjithçka mund të bëhet me forcë, por që serbët nuk do të pajtohen me ato lëvizje. ”

“Nëse prona e serbëve nga veriu i Kosovës vazhdon të jetë e rrezikuar, ne do t’i bëjmë thirrje KFOR -it dhe NATO -s që të mbrojnë jetën dhe pronën e popullatës serbe,” tha Vuçiç.

Vuçiç njoftoi se sesioni i Këshillit të Sigurisë Kombëtare do të mbahet nesër, dhe se para kësaj ai do të takohet me vendet e QUINT-it “për të parë se çfarë duan prej tij”.

“Ne duam kompromise, por gjëja më e rëndësishme është që marrëveshjet të respektohen, që nuk ka standarde të dyfishta”, tha Vuçiç.

Ai shprehu shpresën se Serbia nuk do të marrë masa ekonomike, pasi nuk do të jetë e mirë për të gjithë rajonin.

“Shpresoj se nuk do të na duhet të marrim masat tona, kjo nuk do të jetë mirë”, u shpreh Vuçiç duke iu referuar takimit të nesërm të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë./KosovaPress/

Top Channel