Veliaj i jep Kullën e Sahatit kryetarit të Gjakovës/ Fton të rinjtë shqiptarë të bëhen bashkë në vitin e rinisë në Tiranë, vitin e ardhshëm

19/09/2021 12:03

Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini u takua sot me kryebashkiakun e Tiranës.

Veliaj shprehu mbështetjen për Gjinin, i cili garon për një tjetër mandat në zgjedhjet vendore të 17 tetorit në Kosovë dhe i dhuroi Kullën e Sahatit kryekomunarit.

Jam frymëzuar me të gjithë ato ndryshime që kanë ndodhur në qytet. Fakti që të gjithë po thonë që Gjakova çdo ditë po bëhet më e bukur, më e lulëzuar, më e mirë, më e hapur, me më shumë turistë ma gëzon zemrën. Të uroj një fushatë të shkëlqyer dhe shumë shpejt do planifikoj, ndoshta para fundit të vitit, një vizitë në Gjakovë për të parë gjithë këto punë të bukura që janë bërë”, tha Veliaj.

Edhe kreu i komunës së Gjakovës përgëzoi kryebashkiakun Veliaj për transformimin e kryeqytetit të shqiptarëve. “Tirana është kryeqytet jo vetëm i Shqipërisë, por i të gjithë shqiptarëve. E duam të gjithë. Në Kosovë e shohim që Tirana po bëhet për çdo ditë e më e bukur dhe po ndihemi mirë. Kjo na bën të gjithë shqiptarëve të ndihemi që nuk jemi një vend prapa shpinës së Zotit, por me të vërtetë kemi çfarë t’i tregojmë dikujt”, deklaroi Gjini.

Veliaj ftoi të rinjtë shqiptarë të bashkohen në Tiranë vitin e ardhshëm. “Mezi pres që vitin e rinisë që kemi në 2022 ta kthejmë Tiranën në një epiqendër që i promovon të gjithë të rinjtë, jo vetëm të Shqipërisë, por të gjithë shqiptarisë, edhe nëse janë në Gjakovë, në Mitrovicë, në Podujevë, a në Prishtinë kudo të kemi mundësinë t’i promovojmë. Ne jemi ‘Një’”, tha ai.

Top Channel