Spektakël dhe frikë në Islandë, prej 6 muajsh vijojnë shpërthimet vullkanike

19/09/2021 13:48

Këtë të dielë bëhen 6 muaj nga fillimi i shpërthimit vullkanik që aktualisht po mahnit spektatorët pranë Rejkjavik, duke e bërë atë më të gjatin që Islanda ka parë në më shumë se 50 vjet.

Llava e parë filloi të dalë nga një çarje afër malit Fagradalsfjall në mbrëmjen e 19 marsit në gadishullin Reykjanes në jugperëndim të Rejkjavik.
Dhe spektakli pasoi, deri tek shpërthimet dramatike duke u bërë një pikë interesante turistike.

Shpërthimi i gjashtë vullkanik i Islandës në 20 vjet është tashmë më i gjatë se ai i mëparshmi në Holuhraun, në qendër-lindje të ishullit, i cili zgjati nga fundi i gushtit 2014 deri në fund të shkurtit 2015.

Fusha e llavës që është formuar këtë herë është pagëzuar me ermin “Fagradalshraun” – e cila mund të përkthehet si “lugina e bukur e lavës” – dhe merr emrin nga mali i afërt Fagradalsfjall.

Pothuajse 143 milion metra kub llavë janë nxjerrë deri më tani.

Por kjo është në fakt relativisht e vogël, duke përfaqësuar pak më pak se një të dhjetën e vëllimit të shpërthimit të Holuhraun, i cili nxori rrjedhën më të madhe të lavës së bazaltit në Islandë në 230 vjet

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA