Ndezën zjarr për të djegur mbeturinat, por flakët dolën jashtë kontrollit, nën hetim dy të moshuar në Vlorë

19/09/2021 11:27
Foto ilustruese

Dy persona, që dyshohet se janë shkaktarë të djegies së disa parcelave me ullinj në Vlorë, janë vënë në hetim.

Sipas policisë, 62-vjeçarja me iniciale E.Xh. po pastronte parcelën me ullinj në Peshkëpi, por flakët janë përhapur duke përfshire një sipërfaqe me shkurre aty pranë.

Ndërsa 66-vjeçari me iniciale Nj.F. në vendin e quajtur “Qafa e Topit”, në lagjen “Lirim”, Vlorë, nga pakujdesia, ka djegur një sipërfaqe toke me shkurre, dhe ka dëmtuar disa rrënjë ullinj në pronësi të tij dhe pronarë të paidentifikuar.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë proceduan penalisht shtetasit:

Xh., 62 vjeçe, pasi në vendin e quajtur “Mbi Park” në fshatin Peshkëpi, duke pastruar parcelën me ullinj, aksidentalisht ka djegur një sipërfaqe me shkurre;

Nj. F., 66 vjeç, pasi në vendin e quajtur “Qafa e Topit”, në lagjen “Lirim”, Vlorë, nga pakujdesia, ka djegur një sipërfaqe toke me shkurre, dhe ka dëmtuar disa rrënjë ullinj në pronësi të tij dhe pronarë të paidentifikuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Digjital, për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.

Top Channel