Ndaluan të riun për korrupsion/ Policët nuk bien dakord nëse e kanë filmuar ngjarjen me kamera trupi apo telefon

19/09/2021 09:39

Duket se kamerat e trupit të policisë shfaqin probleme herë pas here .

Dëshmia e një efektivi i cili në kushtet kur kamera nuk ishte i sigurt se funksiononte ka marrë aparatin e telefonit dhe ka filmuar me të një qytetar e tregon këtë fakt.

Një monitorim i Qendrës FOl mbi korrupsionin tregon se si i riu Xhulio Llaka në vendin e quajtur ‘Flamuri Gjerman’ pranë rrugës ‘Ali Demi’ tentoi t’i japë 2 mijë lekë policisë rrugore që e konstatoi atë pa rrip sigurie.

Policia i ka bërë shenjë ndalimi duke e pozicionuar në anën e djathtë të karaxhatës ku i është komunikuar shkaku i ndalimit, mbasi po qarkullonte pa vendosur rripin e sigurimit.

Më pas i kanë kërkuar dokumentacionin e mjetit . Xhulio Llaka si fillim merr vetëm lejen e qarkullimit nga kroskoti dhe i thotë që ” të jap një kafe dhe më lër të iki”. Policia i thotë sërish që i ka kërkuar vetëm anën dokumentare të mjetit , por Xhulio Llaka insistoi disa herë që ” merr pi një kafe” dhe i futi një kartëmonedhë me prerje 2000 lekëshe në leje qarkullimi.Në këtë moment , policia e pyet ; pse e bëre këtë, për t’ju shmangur masës së gjobës?

Policët dëshmojnë se në këtë moment, Xhulio Llaka ka zgjatur dorën për t’ja marrë nga dora së bashku me lejen e qarkullimit , por nuk i ka marrë dot. Nga kontrolli i policisë, rezulton se siguracioni i mjetit kishte mbaruar dhe dilte në sistem pa siguracion.

Xhulio Llaka ka deklaruar se po lëvizte me makinën e një shoku që ia kishte lënë për përdorim për atë ditë me qëllim për ta çuar në ofiçinë për riparimin dhe luçidimin e disa dëmtimeve që kishte.

“Është ndaluar nga policia e cila i ka kërkuar patentën dhe dokumentat e mjetit , pasi ishte pa rrip sigurimi. Policia i ka kërkuar dokumentat e mjetit në kroskotin e mjetit dhe i ka nxjerrë për të ja dhënë punonjësve të policisë . Kur ia ka dhënë ka parë që në lejen e qarkullimit ishte edhe një kartmonedhë 2000 lekëshe për të cilën Xhulio sqaron se nuk kishte dijeni se ishte aty pasi mjeti nuk ishte i tij dhe nuk e dinte se çfarë kishin letrat brenda.

Por ndërkohë në procesverbalin ku pasqyrohen të dhënat mbi dëshminë e efektivëve të policisë që e ndaluan, polici i parë rrugor tregon se të gjitha veprimet e tij u dokumentuan nga kamera e trupit të kolegut.

I pyetur mbi këtë fakt efektivi numër dy i quajtur Xhavit Shabanaj dëshmon para kolegëve se veprimet korruptive të qytetarit i filmoi me celular.

“Kamera e trupit ka probleme teknike dhe e kam të vështirë që t’i shkarkoj pamjet , por do t’i vë në dispozicion sapo t’i kem gati. Regjistrimin e kam kryer me telefonin tim” deklaroi efektivi.

Top Channel