E diela e Abissnet Superiores nis me Tiranën që zbret në fushë përballë Egnatias së ngjitur këtë sezon në elitën e futbollit shqiptar.
Bardheblutë e Orges Shehit në kërkim të konfirmimit e madje dhe progresit pas startit me fitoren 4-2 ndaj Skënderbeut në ndeshjen e parë, ku nuk munguan sinjalet shpresëdhënëse për një Tiranë pretendente për t’u rikthyer në fronin e futbollit shqiptar.
Përballë korçarëve ishte një fitore e “gatuar” në pjesën e dytë, me Tiranën që shënoi 3 gola, dhe trajneri mund të paraqesë një skuadër ndryshe , me Tolin dhe Najdovskin që pasi dhanë sinjale pozitive duke u futur nga stoli këtë herë rrisin kuotat për të qenë titullarë në vend të Toshevskit dhe Behiratche.
Në portë përvijohet rikthimi i Visar Bekajt, një garanci më shumë mes shtyllave. Egnatia ndërkohë në sfidën debutuese mori konfirmimin se misioni në elitë do të jetë i vështirë me humbjen 3-1 ndaj Kukësit, dhe trajneri Magani që kulmin e karrierës si teknik e ka patur pikërisht te Tiranë e di se në Selman Stërmasi do të jetë para një prove të fortë.
Gjithsesi premisat për të bërë mirë për skuadrën e Rrogozhinës nuk mungojnë, falë investimeve për ndërtimin e një skuadre të denjë për elitën me shumë elementë që e njohin mirë Superioren, duke nisur nga Telushi, Shtubina, Krasniqi, Imeri e të tjerë.
Edhe pse me Egnatian e kthyer pas shumë kohësh në elitë precedentët në takimet zyrtare datojnë prej plot 16 vitesh, skuadrat e njohin njëra tjetrën pasi në fundin e korrikut të kaluar u përballën në një miqësore që përfundoi në barazim 2-2. Rezultat që ndoshta do t’i shkonte për shtat sërish skuadrës së Maganit, ndërsa për Tiranën e Shehit, për objektivat, historinë, dhe prishmërinë e madhe fitorja mbetet një detyrim.
Top Channel