Porositi vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt/ Erion Alibej rrezikon zgjatje të burgimit. Hetimi ka probleme, nuk është kapur autori

18/09/2021 12:10

Ditën e sotme, ka filluar marrja në shqyrtim e zgjatjes së burgimit, për Erion Alibej, në hetim paraprak e deri në përfundimin e hetimit. Burimet e gazetares së Top Channel, Anila Hoxha konfirmuan se hetimi për këtë të dënuar ka probleme dhe se nuk është identifikuar autori i vrasjes se Emiljano Ramazanit.

Kur kanë kaluar disa muaj nga vrasja e Ramazanit dihen vetëm dy të përfshirë si ndihmues por jo ekzekutori dhe për këtë arsye pritet vendimi i zgjatjes se hetimit duke qenë në paraburgim të dyshuarit.

Policia e Elbasanit thotë se 34-vjeçari Erion Alibej është organizatori dhe porositësi i dy vrasjeve të ndodhura gjatë muajit korrik 2020, në qytetin e Elbasanit, atë të Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt.

Por Erion Alibej nuk është një emër i panjohur për drejtësinë, po ashtu edhe vëllai i tij, Endrit Alibej.

Të dy vëllezërit janë arrestuar më 4 qershor 2013 nga autoritetet italiane në kuadër të operacionit të koduar “Cocash”.

Në raportin e policisë së Astit thuhej se operacioni “COCASH” i ekzekutuar më 4 qershor 2013 shkatërroi dy grupe trafikantësh droge të drejtuar nga shqiptarë me pjesëmarrjen e shtetasve italianë. Dy grupet e shkatërruar nga ky operacion ishin;

Grupi i përbërë nga 3 shqiptarë; Vexhi Shahinaj, Sajmir Guradeci, aktualisht (më 2013) i burgosur në Francë e Urim Shahinaj, i identifikuar ne Shqipëri.

Grupi i dytë i trafikantëve përbëhej nga dy vëllezërit shqiptarë Erion e Endrit Alibej nga Elbasani, pa leje qëndrimi të rregullt në Itali por që banonin në provincën e Astit.

Ata administronin një trafik të konsiderueshëm droge të tipit kokainë në territorin e provincës së Astit.

Gjatë arrestimit vëllezërve Alibej u janë gjetur në dy banesat e tyre në Asti rreth 15 kg kokainë e fshehur, ndërsa në total gjatë operacionit me 15 të arrestuar u dokumentua si pjesë e trafikut 31 kg lëndë narkotike me vlerë mbi 10 milionë euro.

Në aktivitetin e tyre kriminal grupi i vëllezërve Alibej përdornin pseudonime si Tarzani, Tino, Ciçio, Bimbo, ndërsa në gjuhën e kriptuar kokaina identifikohej me fjalën “foto”.

Ndërkohë që në vitin 2019 vëllai i tij, Endriti u ekzekutua në një atentat në Bradashesh, bashkë me Arben Dylgjeri 56 vjeç, si dhe një shtetas turk Erdal Duranay.

Top Channel