“Ishin të armatosur më goditën dhe morën telefonin”/ Policia zbërthen ngjarjen, pas konfliktit fizik procedon dy persona

18/09/2021 15:46
Foto Ilustruese

Policia e Tiranës ka proceduar penalisht dy të rinj për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6, proceduan në gjendje të lirë shtetasit R. Sh., 31 vjeç dhe M. H., 33 vjeç,  të dy për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje’”, njofton policia.

Si ka ndodhur ngjarja

Policia njofton se në sallën operative të DVP Tiranë ka ardhur një telefonatë që shtetasin R. Sh, e kanë grabitur persona të paidentifikuar. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe kanë marrë kontakt me këtë shtetas, i cili ka deklaruar se nuk është e vërtetë që e kanë grabitur, por që e ka harruar telefonin diku tjetër.

Më pas po ky shtetas ka hedhur dyshime që e kanë goditur persona të armatosur, ku pas verifikimeve të Policisë dhe këqyrjes së pamjeve filmike ka rezultuar se ka patur  thjesht një konflikt fizik midis R. Sh dhe M. H., pa përdorimin e armës apo sende të forta.

Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në konflikt dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Top Channel