Kryeministri Edi Rama ka nisur mbledhjen e parë me qeverinë e re, ku do të diskutohen një sërë vendimesh. Në pikat që i përmendi ministrave, Rama paralajmëroi se pandemia mund të kthejë punën në distancë, ndërkohë që i kërkoi ministrave të marrin përgjegjësi në lidhje me administratën publike dhe për udhëtimet jashtë vendit.
Edi Rama: Asnjë udhëtim pune jashtë shteti me lekët e shtetit në qendër apo rajone që nuk ka marrë miratim dhe nuk është njoftuar Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme nuk konsiderohet në përputhje me etikën e qeverisë. Do parashikohen sanksione për çdo shkelje të normave etike. Shpenzimet e vizitave të punës jashtë shteti që nuk mbyllet me dorëzimin në ministri për raportin e vizitës nuk paguhet nga thesari i shtetit. Kjo është rregulluar disi vitet e fundit në nivelin e ministrave. Kjo duhet të shtrihet edhe në të gjitha nivelet e administratës të ekzekutivit se është e patolerueshme që të mos mbetet asnjë gjurmë vizitash apo kontaktesh me jashtë. Kjo quhet memorie e shtetit.
Nëse nuk ka gjurmë, mbetet vetëm në memorien individuale të shefave që ikin dhe vijnë. Ky është momenti për ta rikonceptuar punën e prokotollit të shtetit në funksion të përmbushjes së plotë për të vendosur të gjithë mekanizmin e kësaj memorie, i cili u hodh në erë dhe u tret në gërmadha që prej vitit 1991 dhe në vitet e fundit ka filluar të vihet në jetë por është ende larg së qeni mekanizmi i mburojës së një shteti serioz.
Edhe për përshkrimin e marrëdhënies së ministrit me administratën që drejton, ju kërkoj të merrni përgjegjësi në tre aspekte: në motivimin moral dhe profesional të administratës në bashkëpunim të ngushtë dhe sistematik në departamentin dhe shkollën e administratës publike. Së dyti, në mbrojtje të meritës në administratë, të bëhet promovim i meritës, jo i ndërhyrjeve partiake.
Së treti, në garantimin e derës së hapur për çdo shqiptar të talentuar, të mirëshkolluar, me eksperiencë pune, qoftë me aplikantët e nismës së re, qoftë me progresin e punës hibride të administratës. Pandemia na ka mësuar gjëra me vlerë të madhe. Mund të na duhet te kombimi i punës zyrë me punë në distancë si masë mbrojtëse. Do të zhvillojmë mbledhje të posaçme.
Top Channel