Një person është vënë nën prangat e policisë në Vlorë për Kultivim narkotikësh ndërsa tre të tjerë janë proceduar penalisht për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit.

“Në vijim të punës dhe kontrolleve të shtuara për ndëshkimin e atyre personave që tentojnë të ushtrojnë aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, u konstatua se në lagjen “Qeriba Derri”, Vlorë në lokalin e administruar nga shtetasi S. B., u gjetën dhe u sekuestruan 2 pajisje elektronike ku dyshohej se ushtronte aktivitetin e kundraligjshëm të lojërave të fatit, duke fshehur të ardhurat me qëllim mosdeklarimin e tyre”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në përfundim të veprimeve hetimore u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi S. B., 35 vjeç dhe S. D., 22 vjeç ( i punësuar në lokal), për veprat penale “Organizim i lotarive të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Organizim i lotarive të palejuara”, shtetasi E. M., 30 vjeç, banues në Vlorë, pasi gjatë kontrollit në ambientet e një lokali, në lagjen “Isa Boletini”, në tavolinën ku qëndronte ky shtetas u gjet dhe u sekuestrua 1 pajisje elektronike ku dyshohej se ushtronte aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Policia vuri nën pranga shtetasin M. M., banues në Borsh, Himarë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në afërsi të stanit të tij, në vendin e quajtur Mastrogunë, Borsh, u gjetën të kultivuara fidan të dyshuar cannabis sativa.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel