Viktima Sabrina Bengaj dhe autori Elton Metaj

Mbas vrasjes së Sabrinës, i ati i saj Partizan Bengaj e konsideron çdo minutë që ikën një test për drejtësinë.

Pavarësisht zisë që ka rënë në familjen e tij, burri të cilit ju vra vajza nga ish dhëndri Elton Metaj, ka udhëtuar drejt Tiranës me shpresën se SPAK do hetojë këdo që firmosi shkresat lehtësuese për ta nxjerrë nga burgu të akuzuarin.

Për këtë arsye, Bengaj autorizoi një avokat që do të përfaqësojë familjen në kaluarin e drejtësisë, e cila ende nuk ka nisur hetimet mbi akt ekspertizat e mjekëve ligjorë dhe vendimin e gjyqtarit Piro Sota që ndryshoi mjekimin e detyrueshëm në mjekim ambulator duke hapur në këtë mënyrë derën e burgut të Zaharisë për Metajn.

Veç ndarjes së përgjegjësive për këdo që abuzoi me detyrën për lirimin e 31 vjeçarit, familja ka nisur luftën tjetër për të fituar kujdestarinë e fëmijës së çiftit që pas divorcit, gruaja përfundoi e vrarë dhe bashkëshorti sërish në burg.

Përveç njoftimit të Twitter ku kreu i ILD njoftoi se ka nisur menjëherë vlerësimi i rastit dhe i të dhënave që dalin në media, nga ky institucion nuk ka ende një konkluzion zyrtar mbi skandalin e drejtësisë që i hapi dyert e burgut një të akuzuari për tre krime.

Top Channel