Java e dytë e Abissnet Superiore nis nga “Elbasan Arena”, ku Dinamo e Laçi ndanë nga një pikë falë barazimit 1-1, në një ndeshje ku kurbinasit bënë gjithçka vetë, duke shënuar fillimisht në portën e tyre e më pas në atë të kryeqytetasve, për të marrë pikën e parë sezonale.
Gjithçka nisi me një minutë heshtje në nderim të kujtimit të Ylli Mihalit, fizio-terapistit të Kombëtares Shqiptare, i cili u nda nga jeta në fillim të kësaj jave, pasi prej disa ditësh kurohej nga koronavirusi.
Më pas fjalën e morën lojtarët në fushë dhe sfida nisi mirë për kurbinasit, që në 10 minutat e pra zhvendosën lojën në gjysmëfushën dinamovite dhe kërcënuan fillimisht me anë të Guindou e më pas me anë të Zarubicës, i cili u koordinua keq brenda zonës dhe humbi një mundësi të artë shënimi.
“Nëndetësja blu” filloi të fitojë terren me kalimin e minutave, por ndonëse shkoi disa herë rrezikshëm në në zonën kundërshtare, nuk arriti të kërcënojë kuadratin e Sherrit, ndërsa edhe kurbinasit kanë mundësitë e tyre, por pa rezultat.
Në minutën e 37’, portieri Alen Sheri bëri heroin e Laçit, pasi grushtoi mjaft mirë një gjuajtje të rrezikshme nga distanca të Besir Demirit, dukë u dhënë një goditje këndi dinamovitëve, ndërsa episodi më i diskutueshëm u regjistrua në minutën e 42-të.
Pas një krosimi nga krahu, mbrojtësi Sofranac u lirua në shtyllën e dytë dhe gjuajti saktë, duke dërguar topin në rrjetën e portës së Sherrit, por festa u ndal nga arbitri anësor për një pozicion jashtë loje, vendim që u konfirmua më vonë edhe nga VAR-i, ndonëse pamjet tregonin për një rast vërtetë të dyshimtë.
Pjesa e dytë nisi me një ritëm mjaft të mirë dhe pas vetëm 8 minutash lojë, erdhi goli që zhbllokoi takimin. Një krosim i Isaevskit nga krahu i majtë, u devijua gabimisht nga mesfushori i kurbinasve, Julian Shehu, që dërgoi topin në cepin e portë së mbrojtur nga Sherri dhe u dha avantazhin kryeqytetasve.
Reagimi i bardhezinjve ishte mjaft i mirë dhe në minutën e 58’ i shkuan shumë pranë golit të barazimit. Një asist perfekt nga mesfusha nxori sulmuesin Ademi të vetëm me portierin Harizaj, por ky i fundit bëri mrekullinë, duke grushtuar, ndërsa në vijim të aksionit, Sali Guindou gaboi gjithçka në goditje.
Trajneri Vukiçeviç hedh në fushë veteranin Mentor Mazrekaj, që shton ndjeshëm forcën sulmuese të kurbinasve, të cilët provojnë sërish të gjejnë golin e barazimit, por në dy tentativa të tjera nga distanca, reagon mjaft mirë Romeo Harizaj.
Nuk mungon as tensioni në një sfidë si kjo, me Mazrekajn që e teproi me protestën ndaj arbitrit Ferhati, pasi ky i fundit nuk akordoi një faull për kurbinasit, për një prekje të topit me dorë nga Eni Imami mbi vijën e 16-metrave, megjithatë gjithçka mbyllet me një karton të verdhë për sulmuesin e Laçit.
Provojnë gjithçka për barazimin kurbinasit, që po hasnin në mbrojtjen e ngjeshur të dinamovitëvem, megjithatë pas disa aksioneve radhazi, në minutën e 90’, erdhi edhe goli që u dha një pikë bardhezinjve.
Pas një skeme nga goditja e këndit, topi shkoi te mbrojtësi Roganoviç mbi vijën e zonës, i cili lëshoi një goditje mjaft të bukur nga distanca dhe dërgoi sferën në rrjetën e portës së Harizajt, duke rikthyer baraspeshën.
Arbitri kryesor pret disa momente dhe më pas i drejtohet ekranit të VAR-it për të riparë golin, pasi dyshohej një interferim i Prengës para portierit të Dinamos, megjithatë e kotë, pasi goli vlen dhe kurbinasit mund të festojnë lirisht.
Vërshëllima finale la në fuqi rezultatin 1-1, një barazim ky i drejtë për atë që dhanë skuadrat në fushën e lojës, me kurbinasit që marrin pikën e parë të sezonit dhe Dinamon që ngjitet përkohësisht në krye me katër pikë./ Supersport
Top Channel