Autoritetet iraniane u dorëzuan në fund dhe i dhanë dritën jeshile vaksinës Johnson&Johnson kundër koronavirusit, të prodhuar nga gjiganti farmaceutik amerikan me të njëjtin emër.
“Vaksina Johnson&Johnson, qe jepet me një dozë, u miratua”, tha udhëheqësi i Administratës iraniane të Ushqimit dhe Barnave, Mohammad Reza Shanehsaz. Ai sqaroi edhe vaksina ruse Sputnik Light, që po ashtu jepet me një dozë, u miratua për përdorim në Republikën Islamike.
Vendimi i këtij vendi për të miratuar vaksinën Johnson&Johnson vjen tetë muaj pasi udhëheqësi suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, i ndaloi vaksinat e prodhuara në Britani dhe SHBA, duke thënë se këto vende “nuk kanë besë”. Por pas marrjes së detyrës në muajin gusht, presidenti Ebrahim Raisi, u zotua ta kthente prioritet luftën kundër koronavirusit.
Irani, deri më tani kishte përdorur vaksinën e tij COVIran Barakat, ashtu si edhe vaksinën ruse Sputnik V, Covavaxin e Indisë dhe një version të vaksinës britanike AstraZeneca të prodhuar nga një ndërmarrje e përbashkët e Rusisë dhe Koresë së Jugut. Sipas ministrisë iraniane të shëndetësisë, rreth 13 milionë njerëz – nga 83 milionë që ka gjithsej vendi, janë vaksinuar plotësisht. Me mbi 5.3 milionë infektime dhe 116,072 viktima, Irani është vendi më i goditur nga koronavirusi në Lindjen e Mesme.
Top Channel