Minatori Muharrem Plaku është bllokuar në një nga galeritë e Bulqizës, që prej mëngjesit të së mërkurës.
Në një njoftim për shtyp, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera sqaron se kërkimi për gjetjen e 60-vjeçarit vazhdon, por kërkon shumë kohë dhe kujdes, pasi rrezikohet jeta e punonjësve të shpëtimit.
Në frontin ku është bllokuar minatori paraqitet shumë e vështirë. Nuk ka informacion të saktë mbi vendndodhjen e viktimës, pasi ai ka qenë i vetëm në hapësirën e nënkatit të parë. Vazhdon pastrimi i materialit në rrugën kryesore dhe në nivelin e nënkatit të parë, por nga hapësira vazhdon e bjerë material pa ndërprerje, çka e vështirëson akoma më shumë punën.
Aktualisht grupet e punës janë të përbërë nga 3-4 shpëtues, njofton Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, ndërsa punohet 24/24 pa ndërprerje. Në drejtimin e operacionit është drejtori i emergjencave të AKSEM, ndërkohë që 6 inspektorë mbikëqyrin situatën në vazhdimësi, duke vepruar të ndarë në turne. Për shkak të vështirësive objektive që paraqet ky rast, operacioni kërkon kohë dhe kujdes të madh gjatë punës, për të mos rrezikuar jetën e punonjësve dhe shpëtuesve që ndodhen në vendngjarje.
Në 15 shtator 2021, në galerinë nr. 36 të subjektit “Kadurtex”, Muharrem Plaku, hyri në zonën e shfrytëzimit, në një hapësirë të vjetër për të rrëzuar material për në horizontin e transportit, por në atë moment ka ndodhur një shembje e mineralit, e cila e ka zënë atë poshtë dhe ka bllokuar hyrjen e galerisë.
Top Channel