Protestë për Sabrinën/ Kërkohet drejtësi për gratë dhe vajzat viktima të dhunës

16/09/2021 01:21

Shoqëria civile dhe familjarët e viktimës 23 vjeçare Sabrina Bengaj në Fier janë ngritur në protesta për dhunën dhe vrasjen e grave në Shqipëri përballë institucioneve që sipas tyre janë inekzistente.

14 vajza dhe gra janë vrarë në 8 mujorin e parë të vitit 2021. Këto shifra janë cilësuar si bilanc lufte nga protestuesit të mbledhur në dy qytete të ndryshme Tiranë dhe Fier. Vrasja e Sabrinës hodhi hije të forta mbi organet e drejtësisë, që kishin liruar me procedura të dyshimta nga burgu ish-bashkëshortin vrasës Elton Metaj.

Qytetarët me pankarta në duar janë shprehur përmes mesazheve se duhet të vihet drejtësia për gratë e dhunuara apo të vrara. Familjarët e Sabrinës kanë bërë thirrje për zbardhjen e ngjarjes.

Në Tiranë protestuesit fillimisht kanë qëndruar përpara Ministrisë së Brendshme, ndërsa më pas është zhvilluar një marshim drejt Ministrisë së Drejtësisë. Aktivistët janë shprehur se vrasjet mund të parandaloheshin.

Më pas protestuesit kanë lexuar emrat e grave dhe vajzave të vrava, por edhe të bashkëshortëve vrasës. Për ta, është kërkuar dënim maksimal nga organet e drejtësisë. Në mbyllje të protestës qytetarët ndezën qirinj për të përkujtuar viktimat.

Top Channel