KLP cakton dy drejtuesit e rinj, ja kush u vendos në krye të Prokurorisë së Korçës dhe Matit

16/09/2021 12:13

Ditën e sotme, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka caktuar në detyrë 2 drejtuesit e Prokurorive në Korçë dhe Mat.

Dhorina Theodhorin e ka vendosur në pozicionin e  drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Parë Korçë. Ndërsa Abaz Muçën në pozicionin e  drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Parë Mat.

Me këto dy emërime, shkon në 7 numrin e drejtuesve të emëruar nga KLP për një periudhë 3 vjeçare.

Drejtuesit e prokurorive në disa qarqe të vendit janë:

1.Anita Jella  – Prokuroria Durrës

2.Elizabeta Imeraj – Prokuroria Tiranë

3.Artan Shtrungza- Prokuroria Tropojë

4.Kreshnik Ajazi- Prokuroria Elbasan

5.Genti Xholi – Prokuroria Apel Tiranë

6.Dhorina Theodori- Prokuroria Korçë

7.Abaz Muça- Prokuroria Mat

Ata do të ushtrojnë funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë për një periudhë trevjeçare, duke filluar nga data 16.09.2021.

Ndërkohë, në mbledhjen plenare të datës 09.06.2021, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka shpallur tetë vende vakante, të cilat do të plotësohen nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele. Pas verifikimit të plotësimit të kushteve ligjore të kandidimit (nga ana e kandidatëve) dhe pasi u njoh me relacionet shpjeguese të përgatitura nga Komisioni për Zhvillimin e Karrierës, Këshilli vendosi  miratimin e renditjes së kandidatëve për pozicionin vakant nr. 1 dhe nr. 2 në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, përkatësisht Elidon Hysenaj dhe Adnan Hoxha;

Gjithashtu, Këshilli vendosi miratimin e renditjes së kandidatëve për një pozicionin vakant në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, me renditjen si vijon:

Ajola Prençi, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin;

Elidon Hysenaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë;

Urim Buci, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër;

Ledion Tema, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat.

Njëkohësisht, Këshilli vendosi transferimin e përkohshëm me pëlqimin e tij të Elion Mustafaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, në pozicionin e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje, për një periudhë njëvjeçare. Gjithashtu, Këshilli vendosi në mënyre unanime caktimin e përkohshëm të Elion Mustafaj në pozicionin e Drejtuesit Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje, nga data 24.09.2021 – 23.12.2021.

Pasi u njoh me relacionet e përgatitura nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi për caktime të përkohshme në pozicionin e drejtuesit të prokurorisë, përkatësisht të Rifat Kojku në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër dhe të Pranvera Gruda në pozicionin e Prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër.

Top Channel