Arrestohet lituanezi që ushtroi dhunë ndaj partneres në Ksamil. Vihen në pranga edhe 2 të tjerë, ja për çfarë akuzohen

16/09/2021 12:37

Tre persona janë arrestuar nga policia e Vlorës për vepra të ndryshme penale, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Në fshatin Karahaxh të bashkisë Finiq u konstatuan fidanë të dyshuar kanabis sattiva. Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u bë ekzekutimi i urdhrit të ndalimit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për S. N., 38 vjeç, banues në fshatin Bamat, Delvinë, si dhe u shpall në kërkim Sh. T., 54 vjeç pasi dyshohet se kultivuan 13 kg lëndë bimore e dyshuar narkotike cannabis sativa.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Dhuna në familje”, lituanezin N. K., 51 vjeç, banues në Ksamil, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëjetueses së tij.

Nga specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Vlorë u bë arrestimi i S. K., 34 vjeç, banues në Vlorë, pasi dyshohet se ka përndjekur në mënyrë të vazhdueshme një 53-vjeçar.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel