Këtë të mërkurë në Godinën ‘Liria’ po mbahet një ceremoni në përkujtim të dy pedagogeve të Fakultetit të Ekonomisë, Vjollca Karapici dhe Irena Bogdani, si dhe studentes Euxhena Jorgji, që humbën betejën me Covid-19, gjatë vitit të kaluar.
Një prej kolegeve të pedagogeve të ndjera është përlotur gjatë fjalës së saj, teksa tregon se si ato ja dedikuan jetën e tyre fakultetit dhe studentëve të Ekonomikut.
“Nuk e kam të lehtë të flas për koleget e mia prej një jete. Të dyja koleget nuk u shkëputën asnjëherë nga fakulteti, ja dedikuan jetën e tyre studentëve, punës shkencore dhe kërkimore, ishin të dyja shumë komunikuese dhe shumë të afta. Kanë lënë një emër shumë të mirë kudo që të shkosh dhe të flasësh për to. Janë të shumtë studentët që janë diplomuar nga duart e tyre dhe janë sot drejtues të institucioneve shtetërore”, tha ajo.
Edhe të pranishmit në këtë ceremoni përkujtimore nuk mundën të përmbanin lotët e tyre për humbjen e dy pedagogeve dhe bashkëmoshatares së tyre, që u ndanë nga jeta si pasojë e virusi vrastar.
Pas ceremonisë në oborrin e Fakultetit nga Hyrja e Re do të mbillen tri pemë ulliri në kujtim të tyre.
Top Channel