Takimi kancelares, Angela Merkel me 6 kryeministrat e rajonit ka prodhuar një zhvillim të ri për sa i përket të ardhmes së Ballkanit të Hapur.
Në një kohë kur në tryezën e Ballkanit të Hapur ulen vetëm kryeministri Edi Rama, Zoran Zaev nga Maqedonia e Veriut dhe presidenti Serb Aleksandar Vuçiç, ky konfigurim pritet të ketë ndryshime.
Gazetari Top Channel, Muhamed Veliu nga burime diplomatike mëson se në drekën e kancelares, Merkel është folur edhe për Ballkanin e Hapur.
Të njëjtat burime pohuan se në këtë drekë, Zoran Tegeltija, Kreu Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinës, ka pohuar se vendi i tij është i gatshëm të ulet në tryezën e Ballkanit të Hapur.
“Ne”, është shprehur Zoran Tegeltija – “jemi duke i dhënë përgjigje pikëpyetje të fundit që kemi dhe fillim viti 2022 do të na gjejë si pjesë të Ballkanit të Hapur”.
Në konferencën për shtyp kancelarja Angela Merkel megjithëse nuk e përmendi drejtpërdrejt Ballkanin e Hapur nuk u shpreh kundër gjë të cilën e ka reflektuar gjatë takimit me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor.
“Unë përshëndes në mënyrë shprehimore edhe projektin e Tregut të Përbashkët Rajonal me katër marrëveshjet, sikundër i quajmë. Jo të gjithë janë duke bashkëpunuar në të njëjtin nivel në këto marrëveshje, disa janë tashmë brenda implementimit të tyre, disa të tjerë janë duke u menduar për t’ju bashkuar kësaj iniciative, por sot, ne kemi rënë dakord që sa më shumë të bashkëpunojnë në këtë kontekst, aq më mirë e aq më i fuqishëm do të jetë Procesi i Berlinit” deklaroi Merkel.
Ky zhvillim edhe me Bosnjë Hercegovinën brenda Ballkanit të Hapur formon një shumicë prej katër vendesh si pjesë e kësaj iniciative duke lënë të vetëm në kundërshtitë e tyre Kosovën dhe Malin e Zi.
Top Channel