Durrës/ Arrestohen dy persona, shpallet në kërkim 21-vjeçari që i vuri flakën ‘Fordit’

15/09/2021 10:12

Policia e Durrësit ka vënë në pranga dy drejtues mjetesh, njëri prej tyre në gjendje të dehur dhe tjetri pasi ka shkaktuar një aksident.

Ka shpallur në kërkim një 21-vjeçar, i cili dyshohet se i ka vënë zjarrin mjetit tip “Ford”, në pronësi të shtetasit M. P., si dhe ka dëmtuar mjetin tip “Ford”, në pronësi të shtetasit F. P., (me lidhje familjare), të cilët i kishin parkuar pranë banesës. Po ashtu është proceduar penalisht një tjetër shtetas, pasi dje i ka vënë zjarrin tokës së tij për të djegur barishtet, por zjarri i ka dalë nga kontrollit dhe si pasojë janë djegur disa rrënjë ullinj në pronën e tij.

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit: H. K., 45 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua në lagjen nr.13, Durrës, duke drejtuar automjetin tip “Volkswagen”, në gjendje të dehur; D. H., 20 vjeç, banues në Durrës, pasi ditën e djeshme, në lagjen nr.17, Durrës, duke drejtuar mjetin tip “Ford”, është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin N. K., 35 vjeç, banues në Durrës, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Më datë 15.09.2021, u bë shpallja në kërkim e shtetasit P. N., 21 vjeç, banues në Durrës, pasi në lagjen nr.17, Durrës, dyshohet se i ka vënë zjarrin mjetit tip “Ford”, në pronësi të shtetasit M. P., si dhe ka dëmtuar mjetin tip “Ford”, në pronësi të shtetasit F. P., (me lidhje familjare), të cilët i kishin parkuar pranë banesës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manzë proceduan penalisht shtetasin S. K., banues në fshatin Shkafane, Durrës, pasi më datë 13.09.2021, i ka vënë zjarrin tokës së tij për të djegur barishtet, por zjarri i ka dalë nga kontrollit dhe si pasojë janë djegur disa rrënjë ullinj në pronën e tij”, njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel