Vrau ish-gruan teksa hante bukë, Elton Metaj lihet në burg dhe pranon krimin: E doja vajzën, vjehrri më bënte presion

14/09/2021 11:42

Gjykata e Fierit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Elton Metaj, autorin e vrasjes së ish bashkëshortes së tij, 23-vjeçares Sabrina Bengaj.

Sipas avokatit Dritan Dema, 31 vjeçari ka pranuar krimin duke pretenduar se ka qenë i rënduar nga gjendja psikologjike. Elton Metaj gjatë deklaratës së tij përpara trupit gjykues ka thënë se para se të kryente krimin, i bënte vjehrri presion.

“E doja vajzën por e bëra për shkak të kërcënimeve të shumta dhe nga presioni i vjehrrit. Armën e bleva për vetëmbrojtje”, tha Metaj.

Elton Metaj akuzohet për kryerjen e veprave penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Ish bashkëshorti qëlloi me 7 plumba 23-vjeçaren dhe goditjen fatale ia dha plumbi i marrë në mushkëri duke i shkaktuar vdekjen në banesën e prindërve të saj teksa po hante bukë.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 10 shtatorit rreth orës 22:50, në fshatin Zhupan, teksa Elton Metaj kishte shkuar në banesën e prindërve të saj dhe e ka qëlluar duke ngrënë bukë.

Autori i krimit, Elton Metaj njihej si një person problematik. Top Channel ka mësuar gjithashtu se më 20 shtator të vitit të kaluar, 31-vjeçari ka marrë peng familjarët e viktimës. Është dashur ndërhyrja e policisë që të liroheshin personat e marrë peng. Ndërkohë po një vit më parë ai u gjykua për 3 akuza: armëmbajtje pa leje, dhunë në familje dhe pengmarrje.

Një ditë më parë, Bashkim Metaj, babai i Elton Metaj foli në një intervistë ekskluzive për ‘Shqipëria Live’ në Top Channel duke shprehur ngushëllimet dhe ndau dhimbjen me familjarët e viktimës, duke thënë: “I përcjell ngushëllimet familjes së Sabrinës, zëre se u nda nga jeta vajza jonë, sepse e rritëm vet. Na ka lënë një dhembshuri të madhe në zemër”.

Gjykata me një vendim të gjyqtarit Piro Sota, kishte vendosur më 1 mars 2021 caktimin si masë mjekësore ndaj Elton Metaj Bengaj, atë të ‘mjekimit të detyruar në një institucion mjekësor’, bazuar mbi një ekspertizë nga mjekë të Institutit Ligjor, duke e liruar kështu vrasësin e 23-vjeçares. Baba i Eltonit tha për ‘Shqipëria Live’ se djali i tij mund ta ketë kryer aktin e rëndë duke qenë në gjendje të dehur, duke shtuar se djali në shtëpi sillej normalisht.

Bashkim Metaj tha se edhe pse të ndarë prej një viti, dyshja mbanin kontakte edhe pas daljes së djalit të tij nga burgu.

“Djali më 28 korrik doli nga burgu. Nuk kisha mundësi ekonomike jo mo të merrem me avokatët e prokurorinë. Në shtëpi ai ishte mirë. Atë veprim e bëri edhe nga alkooli. Kishte një ngacmim nga ana e familjes së tij. Vajza e donte atë, ata kishin lidhje edhe kur doli nga burgu djali. Ajo i thoshte të ikë babi në Itali dhe e ndreqim muhabetin”, u shpreh Bashkim Metaj.

I pyetur nëse i frikësohet një hakmarrje të mundshme, babai i 31-vjeçarit tha: “Çfarë nuk pret, se gjaknxehtësia është, ka një farë të drejte tjetri të marrë hak”.

“Ai më tha mua babi do më falësh se e bëra këtë veprim. Tani më ka ikur edhe djali nga jeta edhe Sabrina. Ai të vuajë sa i takon dënimin. Për mua kanë ikur nga jeta të dy”, shton ai më tej.

FOTO GALERI
9/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA