Tirana zgjohet dhe ngryset me trafik/ Akset kryesore të kryeqytetit çdo ditë janë pothuajse të bllokuara

14/09/2021 20:18

Studime amerikane në lidhje me transportin tregojnë, se në një vit një shofer harxhon mesatarisht rreth 50 orë, I bllokuar në trafik.

Është ora 8 e mëngjesit dhe një nga 3 ekipet tona të xhirimit ndodhet në “Rrugën e Dibrës”, një nga akset më të ngarkuara në kryeqytet, jo vetëm sot, por në çdo ditë të vitit.

“Shumë keq, nga të gjitha anët trafik pa hesap. Para orës 6 të mëngjesit ndoshta mund t’ja hedhësh trafikut, pas orës 6 është shumë rëndë gjatë gjithë kohës, çdo lloj orari. Për ditë të lira nga trafiku, mbase është e diela. Trafiku të ngarkon me shumë stres”, tha një qytetar.

“Ne jemi për punë, ka 1 orë që jemi nisur. Na rëndon psikologjikisht. Tirana nuk lirohet kurrë nga trafiku.”

“Gjysmë ore nga qendra deri këtu. Jemi bllokuar, nuk ecet fare. 1 orë me vonesë mbërrij në punë. Trafikun në shumë vende e shkakton vetë policia, I hapin ca drejtime pa lidhje fare.”

“Unë e kam gjetur zgjidhjen, eci në këmbë.”

“Zakonisht qarkulloj më të gjitha linjat e autobusëve, që janë në dispozicion nga bashkia, dhe pothuajse të gjitha janë njëlloj. Vonohen shumë. Nga një zonë në një tjetër të Tiranës që mund të bëhet për 20 minuta, duhet të llogaris 1 orë përpara. Trafiku vërtet që është vrastar dhe nëse e shikon të gjithë njerëzit janë të nervozuar që në mëngjes, pa llogaritur pastaj punën, pa llogaritur pastaj edhe kthimin që të shkatërron nervat. Trafiku është një torturë e madhe.”

Një studim i fundit thotë se orët në trafik janë vrastare. Bllokimi më makinë rrugëve e dëmton pak nga pak shëndetin tonë çdo ditë.

Top Channel