Shqipëria nuk ka bërë asnjë hap për të dalë nga lista gri e vendeve, të cilat janë nën monitorim për pastrim të parave.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku duke iu referuar të dhënave të indeksit të Bazelit që evidenton rritjen e rrezikut te pastrimit te parave ngre alarmin se paratë e pista po dominojnë ekonominë e vendit.
“Fatkeqësisht Shqipëria ka rënë me 28 vende dhe ka shkuar në vendin e 72, asnjë vend evropian nuk është në këtë listë asnjë vend i rajonit nuk është në këtë listë. Kjo renditje lidhet me pastrimin e parave së pari dhe faktin që tre sektorë, ndërtimi, lojërat e fatit, por edhe turizmi me bekimin e qeverisë, me mbështetjen e qeverisë janë kthyer në sektore që pastrojnë para dhe se dyti lidhet me faktin se për një renditje të tillë ka ndikuar edhe korrupsioni i gjithëpërhapur për të luftuar pastrimin e parave”, tha Tabaku.
Demokratët rendisin disa faktor që kanë çuar në përkeqësim e situatës.
“Kjo ka ardhur si rezultat i vullnetit politik të Ramës por edhe faktit që ai ka mbështetur një ekonomi informale, ka mbështetur ekonominë e krimit, ka mbështetur pastrimin e parave duke i vendosur në një pozitë shumë të vështirë bizneset vendase, duke vendosur në një pozitë shumë të vështirë të gjithë shtresën e mesme që duan te bëjnë një jetesë , normale këtu në Shqipëri”, tha ajo.
Për nënkryetaren demokrate ky vullnet i Qeverisë vendos në rrezik jo vetëm proceset integruese te vendit, por edhe ecurinë e ekonomisë shqiptare për një periudhe afatgjatë.
Top Channel