Vladimir Putin, aleati më i fuqishëm i Bashar Al Assadit në konfliktin dhjetëvjeçar të Sirisë, e priti në Moskë presidentin sirian për të parën herë që nga viti 2015.
Shefi i Kremlinit i kritikoi forcat e huaja që janë vendosur në këtë vend pa dritën jeshile të OKB-së, një referim i qartë ky për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Turqinë.
“Problemi kryesor është se forca të huaja të armatosura vazhdojnë të qëndrojnë në disa rajone të këtij vendi pa mandatin e Kombeve të Bashkuara dhe pa lejen e liderit sirian. Ishin përpjekjet tona të përbashkëta që e çliruan një pjesë të mirë të territorit të Sirisë”, u shpreh Putin.
Trupat ruse përfshirë forcat ajrore, u vendosën në Siri në vitin 2015 dhe ishin instrumentale në rimarrjen e kontrollit të një pjesë të madhe të territorit nga kryengritësit. Disa zona të vendit megjithatë mbeten jashtë ndikimit të Damaskut zyrtar, e kjo për shkak se forcat turke janë vendosur në pjesën më të madhe të veriut dhe veriperëndimit të vendit – bastioni i fundit i madh i rebelëve anti -Assad.
Forcat amerikane nga ana tjetër janë pozicionuar në lindje dhe verilindje , në rajone të kontrolluara nga kurdët. SHBA-ja ka vendosur dhe sanksione kundër Sirisë me qëllimin ta detyronin Asadin t`i jepte fund konfliktit e të arrihej një zgjidhje politike. Regjimin e liderit sirian e ka mbështetur edhe Irani. Vetë Bashar al Asad ka bërë pak udhëtime jashtë vendit që nga fillimi i luftës më 2011.
Top Channel