Ka mbërritur në aeroportin e Rinasit kancelarja gjermane, Angela Merkel delegacioni i saj, që do të zhvillojë vizitën në Tiranën zyrtare.

Kancelarja u prit nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf dhe nga ambasadori i Shqipërisë ne Gjermani, Artur Kuko.

Xhaçka i ka uruar mirëseardhjen kancelares gjermane dhe përmes një postimi në rrjete sociale shpreh mirënjohjen për mbështetjen e Merkel për integrimin europiam të Ballkanit Perëndimor, si dhe për forcimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e rajonit tonë.

“Nder dhe kënaqësi t’i uroja mirëseardhjen Kancelares Gjermane, Angela Merkel, e cila mbërriti në Tiranë për takime të rëndësishme me Kryeministrin Edi Rama dhe liderët e rajonit. Mirënjohje për mbështetjen e saj për integrimin europiantë Ballkanit Perëndimor si dhe për forcimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e rajonit tonë”, shkruan Xhaçka.

Kancelarja gjermane do të pritet me një ceremoni në Pallatin e Brigadave, e më pas do të zhvillojë një bisedë “kokë më kokë” me kryeministrin Edi Rama dhe do të përmbyllet me një konferenca të përbashkët mes Ramës dhe Merkel.

Merkel do të mbledhë edhe krerët e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku në plan të parë do të jenë çështjet e bashkëpunimit rajonal. Gjithashtu janë planifikuar bisedime kokë më kokë me krerët e qeverive të Kosovës, Bosnje dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Vizita e Merkel vjen në kuadër të procesit të Berlinit.

Në kuadër të masave për sigurimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë vizitës së Kancelares në Tiranë dhe Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor në disa segmente rrugore, do të ketë bllokime dhe devijime të lëvizjes së automjeteve, konkretisht në Rinas-Unaza e Re, Sauk, Rruga e Elbasanit deri tek Pallati i Brigadave.

Të gjithë qytetarët nga ora 09:00 deri në orën 13:00 të ditës së sotme duhet të përdorin rrugë alternative për të shkuar në destinacionet e tyre.

FOTO GALERI
3/5

Top Channel